USAID, 5.5 milionë USD për kushtet e qendrave shëndetësore
Qendrat shëndetësore do të kenë më tepër mundësi për përmirësimin e kushteve të shërbimit. Kjo falë donacionit të dhënë nga USAID në shumën e 5.5 milionë USD. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, si dhe drejtori i Misionit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Edward T. Landau, nënshkruan dje një marrëveshje për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri. Projekti 3-vjeçar i USAID-it synon ngritjen në nivel më të lartë të aftësive të mjekëve, zhvillimin e një sistemi kombëtar elektronik të informacionit shëndetësor, forcimin e menaxhimit financiar dhe të sistemit të sigurimeve shëndetësore. Shërbimi i kujdesit shëndetësor parësor në vend ka nevojë për përmirësime dhe kjo është bërë publike disa herë nga institucionet përkatëse. Ministria e Shëndetësisë ka ngritur një grup pune të përbërë nga specialistë për të vënë në funksion marrëveshjen dypalëshe. Po kështu, do të hartohen disa programe të përbashkëta për mënyrën e funksionimit të punës dhe shërbimeve në sistemin e parësorit.
”Për funksionimin efektiv dhe në vazhdimësi të kësaj marrëveshjeje, dikasteri i shëndetësisë ka ngritur një grup pune me pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë të fushës dhe në bashkëpunim me USAID do të nisë menjëherë nga puna për konsolidimin dhe institucionalizimin e ndërhyrjeve të përbashkëta”, - theksoi ministri Ndoka. Drejtori i Misionit të USAID-it, Landau, theksoi rëndësinë e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për shëndetin e banorëve në komunitetet e vogla dhe rurale.
23 Shkurt 2008