E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit, ja kush nuk do ta përfitojë dëmshpërblimin

Arkiva e Shtetit do të kategorizojë dosjet. Do të përfshihen edhe SHISH-i dhe Ministria e Mbrojtjes
Zbardhet skema e verifikimit dhe filtrimit të dosjeve me deklarata nga ana e pretenduesve për dëmshpërblim si pasojë e përndjekjes së regjimit komunist. Nisur nga fakti se shumë ish-të burgosur (jo politikisht) kanë arritur të sigurojnë (në fillim të viteve ‘90) vërtetime të rreme prej të cilëve kanë rezultuar si të burgosur politikë, arkivat shtetërore nuk do të shqyrtojnë vetëm vendimet gjyqësore të dala pas viteve ’90, por do të shqyrtojnë në themel dënimet gjyqësore të dhëna në periudhën e komunizmit. Në këtë aksion do të përfshihet dhe Ministria e Mbrojtjes së bashku me Shërbimin Informativ, nisur nga fakti se shumë prej dënimeve janë dhënë për dezertim apo për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjithsesi, nisur nga fakti se në ligj janë përcaktuar të gjitha kriteret dhe kushtet që paracaktojnë se çfarë konsiderohet dënim politik, në Arkivën e Shtetit do të nxirren vendimet e periudhës së komunizmit në të cilat normalisht janë specifikuar dhe akuzat përkatëse, por edhe koha e dënimit për secilën akuzë në veçanti. Do të jenë pikërisht këto specifikime që do të pasqyrojnë në mënyrë të pakthyeshme dhe arsyen “de fakto” të dënimit, duke shmangur gabimet e mundshme të vendimeve gjyqësore (të pas viteve ‘90) të marra si pasojë e vërtetimeve të rreme nga Shoqata e Ish-të Përndjekurve Politikë.
Projektligji
Tri ditë më parë, “Albania” bëri të ditur se ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka dorëzuar pak ditë më parë në tryezën e kryeministrit projektvendimin që kërkon shqyrtimin në themel të kërkesave të subjekteve që pretendojnë se kanë kryer burg për shkak të qëndrimeve të tyre politike gjatë periudhës së diktaturës. Në fakt, ky projektvendim nuk është gjë tjetër veçse formalizimi i fazës së dytë të verifikimit të parashikuar edhe në ligjin “Për dëmshpërblimin e të përndjekurve” të miratuar në nëntor të vitit të kaluar. I gjithë koordinimi i strukturave të sipërpërmendura do të konsistojë veçanërisht në konfirmimin e Pikës d të Nenit 26 të ligjit. Kjo pikë në fakt përbën dhe konfirmimin që kërkon ligji për vërtetësinë e burgimit për arsye politike apo diktatoriale e në të cilën përcaktohet shkurt e qartë se “sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë”. E pikërisht e gjithë puna kërkuese e Arkivës së Shtetit, Shërbimit Informativ dhe Ministrisë së Mbrojtjes do të konsistojë në shqyrtimin e detajuar e në themel të kësaj të dhëne e më tej në kthimin e përgjigjes Ministrisë së Drejtësisë.
Hetimi dytë
Shqyrtimi i bashkërenduar është faza e dytë e hetimit, të cilit i nënshtrohen kërkesat që rezultojnë dënime politike në kuptim të këtij ligji. Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit brenda afatit 30-ditor shqyrtojnë kërkesat dhe, me njoftim individual, shprehet secili nëse i dënuari politik plotëson kriteret e përcaktuara në Shkronjën “d” të Nenit 4 të ligjit. Informacionet e bashkërenduara depozitohen në dosje. Më tej, punonjësi përgjegjës, në përputhje me Nenin 28 të këtij ligji, përgatit relacionin, të cilin ia paraqet ministrit të Drejtësisë. Ligji parashikon se “kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën “d” të Nenit 4 të këtij ligji. Brenda 5 ditëve, Ministria e Drejtësisë e kualifikon kërkesën”.

H. Hasani

Dosjet, ja çfarë veprash penale duhet të vërtetojnë vendimet gjyqësore

Vepra penale politike, në kuptim të këtij ligji, vlerësohen vetëm veprat penale të parashikuara në njërën nga dispozitat ligjore të mëposhtme:
a) në Nenin 1 të Ligjit Nr. 21, datë 15.12.1944, “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit, mbi ata që fshehin kriminelët e luftës etj., mbi ata që vjedhin pasurinë e shtetit dhe të popullit, mbi spekulatorët, falsifikatorët, mbi ata që fshehin sende të domosdoshme për ushqimin dhe strehimin e popullit dhe për rindërtimin e vendit”;
b) në Nenet 14, 15, 16, 17 e 18 të Ligjit Nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”;
c) në Nenet 2, 3 Pika 13, 4, 7, 8 e 9 të Ligjit Nr.372, datë 12.12.1946, “Mbi fajet penale kundër popullit dhe shtetit”;
ç) në Ligjin Nr. 373, datë 12.12.1946, “Mbi ndjekjen e tregtisë së ndaluar, të spekulimit dhe sabotimit ekonomik”, pjesa e sabotimit ekonomik;
d) dispozitat e mëposhtme të Kodit Penal të vitit 1952:
Neni 64 “Tradhtia ndaj atdheut”
Neni 65 “Spiunazhi”
Neni 69 “Organizimi dhe pjesëmarrja në bandat e armatosura”
Neni 70 “Diversioni”
Neni 72 “Sabotimi”
Neni 73 “Agjitacioni dhe propaganda kundër pushtetit popullor”
Neni 74 “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve midis kombësive, racave ose feve”
Neni 75 “Propaganda e luftës”
Neni 76 “Pjesëmarrja në një organizatë kundër pushtetit popullor”
Neni 77 “Veprimtaria para çlirimit”
Neni 78 “Solidarësia ndërkombëtare”
Nenet 102, 103, 104 e 105 “Krime në lidhje me tatimet dhe detyrimet”. Neni 218 “Moskallëzim i krimit”, paragrafi i parë për moskallëzim të një krimi kundër shtetit, të parashikuar në Nenet 64, 69, 70, 72, 73, 75, 76, 77, 78, 79 të këtij Kodi dhe Neni 255 “Kalim i paligjshëm i kufijve të shtetit”;
dh) dispozitat e Kodit Penal të vitit 1977, miratuar me Ligjin Nr.5591, datë 15.6.1977 dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 6300, datë 27.3.1981, të përcaktuar si më poshtë:
Neni 47 “Tradhtia ndaj atdheut”
Neni 48 “Spiunazhi”
Neni 52 “Diversioni”
Neni 53 “Sabotimi”
Neni 55 “Agjitacioni dhe propaganda kundër shtetit”
Neni 57 “Krijimi i një organizate kundërrevolucionare ose pjesëmarrja në të”
Neni 58 “Veprimtaria armiqësore para çlirimit”
Neni 60 “Veprimtaria kundër lëvizjes revolucionare të klasës punëtore”, Neni 112 “Moskallëzim i krimit”, paragrafi i dytë, për moskallëzim të një krimi kundër shtetit, të parashikuar në Nenet 47 dhe 60 të këtij Kodi dhe Neni 127 “Kalim i paligjshëm i kufijve”;
e) shkelje e Dekretit Nr.7408, datë 31.7.1990, “Për mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve në vende publike”;
ë) shkelje e Dekretit Nr.7459, datë 22.1.1991, “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simbolet shtetërore”.
Kur, në përfundim të një gjykimi, ish-i dënuari politik është dënuar me një vendim përfundimtar, të dhënë si bashkim dënimesh, një ose disa prej të cilave janë dënime penale politike të padrejta, në kuptim të këtij ligji, përllogaritja e pjesës takuese, që zë dënimi politik, për efekt të këtij ligji, në kohën e përgjithshme të vuajtjes së dënimit, të kryhet në përpjesëtim me raportin gjithsej, sipas formulës, që i bashkëlidhet shtojcës “A”. Në të njëjtën mënyrë veprohet në rastet kur bashkimi i dënimeve është dhënë gjatë kohës së vuajtjes së një dënimi të mëparshëm.

Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë

Masa e dëmshpërblimit për të burgosurit, të internuarit ose të dëbuarit politikë do të jetë si më poshtë:
a) çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht, sipas kritereve të këtij ligji, në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë;
b) për personat që kanë vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri në vitin 1954, masa e dëmshpërblimit është 1 000 (një mijë) lekë në ditë;
c) për personat e tjerë të internuar ose të dëbuar parashikohet një skemë pensioni, e cila do të rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dëmshpërblimi i përcaktuar në paragrafin më sipër u takon dhe familjarëve të tij, në pjesë të barabarta takuese, kur i dënuari nuk jeton më. E drejta e familjarëve për të kërkuar dëmshpërblim është e drejtë jopasurore vetjake.
Nga shuma që çdo i dënuar politik përfiton nga ky ligj zbritet masa e dëmshpërblimit që ai ka përfituar me ligjet e mëparshme.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›