Vlorë, shtatë fëmijë nga i njëjti fshat me Hepatit A
Hepatiti A ka prekur shtatë fëmijë të një fshati në qytetin jugor të Vlorës. Fëmijët janë të moshës 3 deri në 10 vjeç nga fshati Akërni dhe janë paraqitur gjatë tri ditëve të fundit në Spitalin e Vlorës të prekur nga sëmundja e Hepatitit A. Arsyeja e shfaqjes së Hepatitit nuk është bërë ende e njohur, por mjekët thonë se ka tendencë në rritje të pacientëve të prekur nga sëmundja. Mjekja pediatre, Vera Prendi, theksoi se ka një tendencë rritjeje të numrit të fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje në këtë fshat për shkaqe që ende nuk janë përcaktuar.
Sipas saj, çdo ditë shtrohen dy apo tre fëmijë nga i njëjti fshat dhe pritet që të ketë pacientë të tjerë. Specialistët sqarojnë se megjithëse ka fluks të shtruarish, nuk mund të bëhet fjalë për një epidemi. Ndërkohë, mjekët kanë marrë masat për të bërë ekzaminimet e duhura për të gjetur shkaqet e përhapjes së kësaj sëmundjeje te fëmijët e fshatit Akërni, që ndodhet rreth 20 km larg qytetit të Vlorës. Të gjitha të dhënat e deritanishme janë grumbulluar në Institutin e Higjienës, ku do të saktësohet edhe burimi i shfaqjes së sëmundjes. Ndërkohë, fëmijët e shtruar janë jashtë rrezikut për jetën dhe nën kontrollin e plotë të mjekëve të Spitalit Infektiv të Vlorës.
23 Shkurt 2008