E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP-ja, monitorim ujit në 500 pika kryesore në të gjithë vendin



Instituti i Shëndetit Publik do të monitorojë ujin e pijshëm në 500 pikat kyçe në të gjithë vendin. Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se tashmë është përfunduar rishikimi i skemës së monitorimit të cilësisë së ujit të pijshëm në qytetet e vendit. Numri i pikave të monitorimit ka arritur në 500 nga 353 që kanë qenë në sistemin e mëparshëm. Në këtë mënyrë është rritur niveli i kontrollit të cilësisë së ujit të pijshëm nga DSHP-të e rretheve. Vlerësimi i rrezikut për ndotjet e ujit të pijshëm dhe vlerësimi i situatës higjieno-sanitare të furnizimit me ujë të pijshëm, vitet e fundit, është bërë në bazë të analizës së Indikatorëve të Shëndetit Mjedisor të rekomanduar nga OBSH-ja.
Legjislacioni Shqiptar është ndryshuar dhe është përafruar me direktivat e Bashkimit Europian, në fushën e Shëndetit Publik në lidhje me ujin e pijshëm, ku është përgatitur Projekt- Rregullorja dhe Projekt- Standardi i ujit të pijshëm. Kjo mënyrë pritet të sjellë përmirësimin e ujit të pijshëm, sidomos në uljen e vlerave të normës së disa parametrave kimike me veprim toksik. Ndërkohë që Drejtoria e Higjienës bën të ditur se tashmë ka nisur monitorimin për ujin e pijshëm, ujin e pishinave, furrat e bukës apo kushtet në të cilën mbahen ushqimet. Kjo situatë është e përhershme në çdo sezon veror. Sipas specialistëve, aktualisht uji dhe furrat e bukës kanë rezultuar pa probleme nga ndotja bakteriale. Sipas tyre më problematike është gjendja e mbajtjes së ushqimeve të konsumit të përditshëm. Bulmetrat apo fruta-perimet tregtohen në rrugë jashtë standardeve higjienike, të cilat përbëjnë një rrezik për jetën e qytetarëve. Ato ndoten nga tymrat e rrugës dhe nuk kanë një temperaturë të caktuar të mirëmbajtjes. Specialistët e shëndetit publik, shpeshherë u bëjnë thirrje qytetarëve për të shmangur blerjen dhe konsumin e produkteve ushqimore që janë jashtë standardeve të përcaktuara nga MSH-ja.

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›