E Diel, 1 Nëntor 2026

Qendrat shëndetësore me pajisje të reja, përfitimet që do të kenë banorët e zonës



Emanuela Sako

Banorët e zonave përreth kryeqytetit do të marrin shërbime mjekësore më të specializuara në Poliklinika. Kjo për arsye se deri më sot, këtyre shërbime iu kanë munguar pajisjet për t’i realizuar vizitat. Gjendja e tillë e poliklinikave më të drejtë i ka detyruar pacientët të drejtohen në spitalet e mëdha terciare, pa rekomandimin e specialistëve të poliklinikave. ISKSH-ja ka pajisur të gjitha poliklinikat me pajisje të reja, me të cilat do të plotësohen shërbimet shëndetësore që mungonin. Qendrat janë pajisur me sterilizator, ku në të gjitha mjekimet që mund të bëjnë pacientët, të jetë e siguruar higjiena. Ndërsa, vaksinat që kryejnë fëmijët e vegjël, do të mbahen në frigoriferë të rinj portable me qëllim ruajtjen e tyre Brenda kushteve të përcaktuara. Shërbimi i Kardiologjisë është me një aparaturë të posaçme që vëzhgon funksionimin e zemrës. Po kështu, pjesa tjetër e kësaj vizite do të kryhet në laboratorë. Të gjitha qendrat shëndetësore të Tiranes (mjekët specialistë) janë pajisur me EKG për diagnostikimin e të sëmurëve kardiologjik brenda qendrës. Gjithashtu laboratorët janë pajisur me fotometër, autoklavë dhe centrifugë për të kryer një numër më të gjerë analizash për pacientët.
Pajisja
Qendrat shëndetësore të Tiranës kanë tashmë një set të ri prej 28 pajisjesh bazë dhe së shpejti do të përmbyllet procesi në të gjithë vendin. Këto pajisje do të ndihmojnë mjekët e familjes si edhe specialistet në Tiranë që të ofrojnë në mënyrë sa me cilësore te gjitha shërbimet që janë pjesë e paketës së shërbimeve sistemin parësor. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, mori pjesë në inaugurimin e pajisjes së laboratorëve, në Poliklinikën nr. 2, në kryeqytet. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të cilin është punuar që prej vitit 2006 nga ISKSH-ja dhe MSH-ja. Falë financimit të Bankës Botërore po arrihet që në të njëjtën kohë, në të gjithë vendin të jepet një paketë bazë pajisjesh të domosdoshme, të cilat nuk do të mungojnë në asnjë qendër shëndetësore. Këto do të sjellin një standardizim të shërbimit për të gjithë popullatën”, - u shpreh Hana.
Qendrat shëndetësore
Në qendrat shëndetësore do të kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme për pacientët. Pacienti duhet të ekzaminohet qoftë për shëndetin e tij, por këto ekzaminime janë të domosdoshme edhe për të plotësuar kartelën e të sëmurit dhe për të marrë ato medikamente që atij i nevojiten. Specialistët në qendra pranojnë se deri tani ekzaminimet janë kryer në klinika të tjera, në qendrat e specialiteteve, pasi në qendrat shëndetësore deri tani ka ekzistuar laboratori kimik. Me kryerjen e këtyre ekzaminimeve laboratorike në qendrat shëndetësore, pacienti do ta mbyllë ciklin brenda qendrës shëndetësore. Pajisjet janë të standardeve që kërkohen dhe plotësojnë ekzaminime që nuk janë kryer deri tani në qendrën shëndetësore. Specialistët shprehen se analizat do të kryhen në një kohë më të shkurtër si dhe do të ketë shtim të analizave biokimike 7-8 të tilla, që më parë nuk kryheshin në qendrat shëndetësore. Qendra shëndetësore nr. 2 kryen rreth 50 ekzaminime laboratorike në ditë për fëmijët, gratë shtatzënë, etj, për të gjithë popullsinë që mbulon me shërbim shëndetësor kjo qendër. Ndërsa me këto pajisje të reja, pritet që numri i tyre të arrijë në rreth 70 analiza në ditë.

Lista e pajisjeve të QSH

Nr. Përshkrimi
1 Aparat për matjen e presionit të gjakut
2 Mbajtës i lëvizshëm për I.V.
3 Peshore për fëmijë
4 Glukometër
5 Pjatë peshoreje
6 Mbajtëse për pajisjet e mikrokirurgjisë
7 Ndriçues (për kontrollin e fytit)
8 Pelvimetër
9 Cekiç neurologu
10 Aparat reanimimi manual për fëmijë
11 Peshore dhe gjatësi matës për të rritur
12 Gërshërë
13 Stetoskope
14 Stetoskop fetal
15 Metër
16 Termometër( aksilar)
17 Termometër ( oral/rektal)
18 Matës kohe, mekanik
19 Ulës për gjuhën
20 Mbajtës vaksinash
21 Tabela për testimin e shikueshmërisë
22 Otoskop / oftalmoskop
23 Sterilizues
24 Frigorifer i lëvizshëm për mbajtjen e vaksinave
25 EKG
26 Autoklave
27 Fotometër (për analiza biokimike)
28 Centrifuge

4 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›