Nga Pano te Bogdani, golat kundër Danimarkës
Dyzet e pesë vjet më parë, më 29 qershor 1963, në Kopenhagën nisi edhe aventura e Shqipërisë në Kampionatet Europiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë dhe u fituan po nga toreadorët. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964 e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës”, që ekzistonte midis dy vendeve.
Me një “kualifikim” të dhuruar, Kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagën, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Europian. Humbje shokuese 4-0, më 29 qershor 1963, ku goli i parë i danezëve, si për “tersllëk”, u realizua nga pika e bardhë nga ana e Jens Petersenit (16’). Madsen (35’), Klauzen (40’) dhe Enoksen (49’) mbyllën hesapet me portierin Sulejman Maliqati dhe skuadrën e trajnerit Loro Boriçi në aventurën e parë.
Katër muaj më pas, më 30 tetor 1963, Shqipëria u paraqit në “Qemal Stafa” me Zyber Konçin në bankinë dhe Shefqet Topin në portë. Entuziazmi i jashtëzakonshëm në një stadium tërësisht të shitur prodhoi edhe golin e parë historik të Shqipërisë në Europë. Goli i parë në eliminatoret e një Kampionati Europian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tre minuta nga fillimi i takimit, i cili vulosi edhe fitoren e parë të Shqipërisë në Europë.
Legjenda Panajot Pano është edhe autori i golit të parë të Shqipërisë në Europë, që firmosi fitoren e parë të Kombëtares sonë në eliminatoret e Kampionatit Europian. Një gol në fitoren 1-0 me Danimarkën, në tetor të vitit 1963, por i pamjaftueshëm për t’i dhuruar kualifikimin Shqipërisë, pasi rezultati i përgjithshëm i dy takimeve shkoi në 4-1 për Danimarkën.
Pas tri ndeshjeve të tjera, pa shënuar asnjë gol e gjashtë të pësuar (0-4, 0-1, 0-2), në ballafaqimin e fundit kundër Danimarkës (atë të humbur 3-1), erdhi dhe goli i dytë historik i Shqipërisë, që mban firmën e Erjon Bogdanit. Sulmuesi gjigant, atëherë në radhët e Veronës, Seria B, Itali.
31 Mars 2009