Buxheti i ardhshëm bashkiak iu mëshon rrugëve periferike
Rrugët periferike mund të rregullohen pas përcaktimit të buxhetit të vitit të ardhshëm të Bashkisë së Tiranës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm dje në përfundimin e punimeve në aksin lidhës me rrugët “Jordan Misja” dhe “Siri Kodra” është shprehur se “buxheti i ardhshëm do të ketë prioritet rrugët periferike”.
Rikonstruksionet
62 rrugë në të gjithë kryeqytetin gjenden nën rikonstruksion, pjesa më e madhe e të cilave janë rrugë ndërlidhëse me qendrën e qytetit sesa rrugë periferike. Ndërkohë që për këtë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Rama, ka shpjeguar se tashmë dikasteri që ai drejton i ka më se të qarta çështjet që duhet të ketë prioritet.
“Edhe kjo rrugë kaq e rëndësishme për gjithë këtë pjesë të periferisë së Tiranës që lidhet përfundimisht me qendrën dhe Komunën e Paskuqanit është fryt i bashkëbisedimit dhe i vendimmarrjes së përbashkët me komunitetin”, - është shprehur Rama.
Ndërkohë që shumë rrugë periferike të kryeqytetit do të kenë fatin për t’u rregulluar vetëm pas miratimit të buxhetit të vitit të ardhshëm. Ndonëse gjendja e këtyre rrugëve lë shumë për të dëshiruar dhe se me ardhjen e shirave të vjeshtës dhe dimrit përbëjnë edhe rrezik për banorët e këtyre zonave. Mjafton të kujtojmë vitet e kaluara ku oborret e shtëpive private në kryeqytet pas shirave përmbyseshin dhe mezi kaloheshin nga qytetarët. Deri më tani nuk ka ndonjë plan për ndërhyrje emergjente, por thjesht premtim për rregullimin e tyre vitin e ardhshëm.
Rruga e re
Nga ana tjetër, dje kanë përfunduar punimet në aksin lidhës me rrugët “Jordan Misja” dhe “Siri Kodra”, një financim prej 67 milionë lekësh, nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Pjesë e këtij objekti është edhe një rrugë dytësore e rikonstruktuar plotësisht, që lidh aksin e mësipërm me kufirin fundor të Komunës së Paskuqanit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në përfundimin e punimeve, i cilësoi këto investime një produkt, realizimi i të cilit erdhi si një kërkesë e komunitetit të zonës, pas dëgjesave publike të bëra vitin e shkuar për hartimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Rama tha se “një eksperiencë e shkëlqyer e vitit të shkuar të cilën ne do ta përsërisim këtë vit, dhe përmes së cilës kemi arritur të identifikojmë prioritetet kryesore të bashkisë, bazuar në prioritetet kryesore të komuniteteve”.
Kjo rrugë është trajtuar dhe rehabilituar në të gjithë gjatësinë e saj prej 960 metrash, me të gjithë komponentët përbërës të një infrastrukture moderne; është rehabilituar plotësisht rrjeti ekzistues i ujësjellësit; projekti i kanalizimeve të ujërave të bardha është realizuar i ri; ndriçimi është realizuar me shtylla metalike 8.8 metra të larta, të vendosura në të dyja anët e rrugës.