E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit; Operohet Lulëzim Berisha, shtyhet seanca gjyqësore

Lulëzim Berisha, i akuzuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, iu nënshtrua dy ditë më parë një operacioni në apandesit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë dhe kjo ka qenë arsyeja pse dje ka dështuar seanca gjyqësore në ngarkim të tij dhe “Bandës së Durrësit”. Më pas, një ndër krerët e “Bandës së Durrësit” është transferuar dhe aktualisht ndodhet në spitalin e burgut në Tiranë dhe gjendja shëndetësore e tij ka ardhur duke u përmirësuar. Kjo nuk e ka lejuar të pandehurin Lulezim Berisha të marrë pjesë dje në seancën gjyqësore në ngarkim të ish-bandës që ka drejtuar prej disa vitesh, ndërkohë që ka dërguar një deklaratë për togat e zeza, ku sqaronte arsyet e pamundësisë së tij për pjesëmarrje në gjyq dhe ka kërkuar që gjyqi të mos zhvillohet pa praninë e tij. Ndërkohë që edhe mungesa në këtë seancë e disa avokatëve të tjerë mbrojtës të disa të pandehurve të kësaj bande, bëri që trupi gjykues të shtyjë për javën që vjen procesin gjyqësor. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë episodesh kriminale, mes tyre edhe vrasje të bëra në kuadër të organizatës kriminale, vite më parë në qytetin e Durrësit. Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande janë arrestuar këto dy vitet e fundit në sajë të operacioneve të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka realizuar hetimet për veprimtarinë kriminale të ish-“Bandës së Durrësit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›