E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Pagesë shtesë për mjekët për mjekët e trajnuar



Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të paguajë një bonus për mjekët, të cilët nëpërmjet trajnimeve do të përfitojnë bonus. Por mjekët duhet të arrijnë të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Bëhet fjalë për një bonus prej 5 % mbi pagën që shpërndahet çdo 3 muaj, ku një nga indikatorët e rëndësishëm është trajnimi i stafit mjekësor. Deklarata u bë nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila mori pjesë në Konferencën e Parë Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm të Profesionistëve të Shëndetësisë në Shqipëri. Në këtë konferencë ishin të pranishëm Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler dhe përfaqësuesit më të lartë të sistemit shëndetësor në vend. “Që nga viti 2008, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur procesin efikas të lidhjes së pagesës së bonusit në shërbimin shëndetësor parësor me realizimin e disa indikatorëve, ku edukimi i vazhdueshëm është një nga treguesit e rëndësishëm, pasi jemi të bindur se përditësimi i njohurive të stafit mjekësor, do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët”, - u shpreh Hana. Tashmë, të gjithë mjekët duhet të trajnohen për të certifikuar njohuritë, e cila u njihet si marrje e njohurive dhe të reja të fundit nga shëndetësia për çështje të caktuara. Sipas Ministrit Vasili, kjo do të jetë një mënyrë për kualifikimin e mjekëve dhe për më shumë përfitime për ta. Ndërkohë, nga ana e ISKSH-së janë marrë të gjitha masat për krijimin e lehtësirave financiare për ndjekjen e këtyre trajnimeve. “Matja çdo 3 muaj e këtij indikatori për përfitimin e bonusit nga qendrat shëndetësore, duke filluar nga viti 2010, do të bëhet duke marrë për bazë kreditet e përcaktuara tashmë nga Qendra Kombëtare e Edukimit të Vazhdueshëm. Nga ana jonë po përgatiten kontratat e reja, në të cilat do të përfshihen pikaavantazhet që jepen nga Qendra e Edukimit në Vazhdim për mjekët dhe për Qendrat Shëndetësore”,- theksoi Elvana Hana. Numri i krediteve që do të përcaktohet nga Qendra e Edukimit në Vazhdim, për vitin 2010, është 10 dhe ky numër do të rritet çdo vit me nga 10 kredite. Kështu, në vitin 2014 do të bëhet 50 kredite. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili gjatë fjalës së tij në këtë konferencë ka vlerësuar faktin që për herë të pare edukimi i vazhdueshëm bëhet temë qendrore diskutimi e një forumi kaq të madh profesionistësh të shëndetësisë. Ndërsa theksoi se kjo konferencë zhvillohet në një moment kur Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar edukimin në vazhdim si një nga shtyllat e reformës për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›