Rikthehen atentatet mafioze në qytetin e Laçit, ekzekutohet 25 vjeçari
LAC – Rikthehen atentatet mafioze në qytetin e Laçit. Vetëm pak ditë pas plagosjes së një të riu në këtë qytet, një tjetër ngjarje ka ndodhur dje në mëngjes, ku disa persona kanë ekzekutuar një 25 vjeçar. Burimet zyrtare të komisariatit të Kurbinit bëjnë të ditur se dje, rreth orës 1.20, është vrarë me armë zjarri shtetasi Eris Trokthi. Ngjarja ndodhi në afërsi të Stacionit të Trenit. Sipas burime të policisë vendore, viktima ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij rreth asaj ore kur është përballur me një breshëri plumbash, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Nga informacionet në grupin hetimor, rezulton se në këtë atentat kanë marrë pjesë më shumë se dy persona. Atentatorët pasi janë siguruar se Trokthi ka gjetur vdekjen, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Për zbardhjen e vrasjes është ngritur grupi hetimor, por përcaktimi i një piste konkrete mbetet e vështirë, për shkak se 25-vjeçari njihej si njeri problematik. Burimet zyrtare të policisë së Laçit bëjnë të ditur se shtetasi Eris Trokthi ishte ndaluar disa herë nga forcat e rendit dhe ndaj tij rëndonin akuza të tilla si “armëmbajtje pa leje”, “kundërshtim të forcave të rendit”. Madje ai ishte i dyshuar edhe për tentativë vrasjeje. Për kapjen e autorëve policia ka ngritur postblloqe në pikat hyrëse e dalëse të qytetit. Fakti që krimi është kryer në orët e vona të natës, ka vështirësuar punën për kapjen e autorëve.
2 Qershor 2008