Nishani: “Heroina e sekuestruar me autorë shqiptarë është përgjysmuar”
TIRANË – Menjëherë pas publikimit të Raportit të OKB-së ku thuhej se tregu i heroinën komandohet nga shqiptarët, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se treguesit e sigurisë në Shqipëri janë rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit. Duke iu referuar disa vlerësimeve pozitive në adresë të Shqipërisë në Raportin e fundit të Zyrës Kundër Krimit dhe Trafikut të Kombeve të Bashkuara, Nishani u shpreh se “Ballkani është konsideruar si një zonë ku siguria është rritur, po ashtu edhe Shqipëria paraqitet si një vend ku treguesit e sigurisë janë rritur në mënyrë të ndjeshme, si ato në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve”. Sipas këtij raporti, theksoi ministri i Brendshëm në komentin e tij, është ulur ndjeshëm kriminaliteti, janë përmirësuar treguesit për veprat penale të vrasjes, vjedhjes së automjeteve, trafikut të heroinës në vendin fqinjë Itali dhe trafikut të qenieve njerëzore. Duke iu referuar disa të dhënave të këtij Raporti, Nishani tha se “numri i vrasjeve ka zbritur në 2 nga 6 për 100 mijë banorë që ishte 2001 e 2003, ndërkohë që ky tregues në vendet e BE është 2,5 për të njëjtin numër banorësh”. Përsa i përket trafikut të heroinës, ministri i Brendshëm vuri në dukje se “sasia e heroinës së sekuestruar me autorë shqiptarë është përgjysmuar në raport me vitin 2004 dhe kjo tregon për një perceptim krejt ndryshe të realitetit, pra shqiptarët nuk janë kryesorët në trafikun e narkotikëve, nuk përbëjnë rrezikun kryesor”. Për përfshirjen e shqiptarëve në botën e krimit në vendet fqinje, Nishani u shpreh se “nga 350 mijë shqiptarë të regjistruar në Itali, vetëm 0,9 prej tyre janë të arrestuar, shumica dërrmuese e tyre është arrestuar për mungesë të dokumentacionit të rregullt dhe jo për shkak të përfshirjes së tyre në krimin e organizuar”. Nishani vuri në duke në këtë konferencë përpjekjet e Qeverisë shqiptare, opinionit publik, medias në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke theksuar se numri i femrave shqiptare të trafikuara në shkallë rajoni në fund të vitit 2006 përbënte 2 për qind nga 15 për qind që llogaritej 3-4 vjet më parë. Këto shifra, përfundoi ministri i Brendshëm, janë tregues të përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare kundër krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm të të gjitha llojeve.
2 Qershor 2008