Dibra: “Raporti i AI-së i përket vitit 2006”
Laureta Rryçi
Tiranë - Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë reaguar dje në lidhje me raportin e fundit të publikuar nga Amnesty International për kushtet në sistemin e paraburgimit dhe në atë të burgjeve. Në një konferencë për shtyp të zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, u deklarua se “Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë marrë masa për uljen e popullimit në këto institucione dhe përmirësimin e kushteve në to”. Sipas tij, raporti i fundit i të drejtave të njeriut u referohet informacioneve që Komiteti i Parandalimit të Torturës i Këshillit të Europës ka marrë gjatë vizitës që ka kryer në Shqipëri në mars të viti 2006, ndërsa tashmë kjo situatë ka ndryshuar me kalimin e sistemit të paraburgimit nga viti 2007 në përgjegjësi të Ministrisë së Drejtësisë.
Reagimi
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, u shpreh se “tashme nuk mund të flasim më për kushte të këqija në paraburgimin e Vlorës, pasi që në shkurt të këtij viti është vënë në funksion një qendër e re paraburgimi me kushtet nga më moderne”. Dibra preku edhe situatën e fundit në Burgun e Burrelit, pas tentativës së arratisjes së dy të burgosurve, si dhe disa kushteve jo të mira të strehimit të të burgosurve në paraburgimin e Korçës të ngritura edhe nga Avokati i Popullit. Sipas tij, “Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në lidhje me këto ngjarje ka marrë masat sipas ligjit, ndërkohë që situata në paraburgimin e Korçës do të zgjidhet me përfundimin e burgut në këtë qytet, i cili ka një kapacitet prej 350 të burgosurish. Po kështu, sipas Dibrës, brenda qershorit do të nisë të funksionojë burgu i Fushë-Krujës dhe më pas ai i Korçës. Deri tani Drejtoria e Burgjeve ka siguruar fondet për ndërtimin e paraburgimeve në qarqet Fier, Shkodër dhe Elbasan. Në nëntor përfundon puna për ndërtimin dhe pajisjen e qendrës për trajtimin e personave të mitur të dënuar me burgim në Kavajë. Këtyre investimeve u shtohen ndryshimet reja ligjore për zbatimin e dënimeve alternative të cilat do të lehtësojë edhe më situatën e mbipopullimit në burgje.
Raporti
Tri ditë më parë Amnesty International publikoi raportin e tij vjetor mbi të Drejtat e Njeriut në të gjithë botën. Në raport thuhet se kushtet e të burgosurve në Shqipëri mbeten të dobëta për shkak të mbipopullimit të burgjeve, higjienës së dobët dhe mungesës së kujdesit shëndetësor. Raporti (siç citohet në të), u referohet informacioneve që Komiteti i Parandalimit të Torturës i Këshillit të Europës ka marrë gjatë vizitës që ka kryer në Shqipëri në mars të viti 2006. Ai kritikon kushtet në paraburgimin e Durrësit dhe Fierit dhe dy stacione police në Tiranë, kritikon mbipopullimin në paraburgimin e Vlorës, si dhe shprehet se ka njoftime për keqtrajtimin e të ndaluarve nga policia. Në këtë pikë, raporti i referohet praktikës së ekzistuar në vitin 2006 e më parë. Mirëpo drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, shpjegoi dje se me kalimin e sistemit të paraburgimit nga vitit 2007 në përgjegjësi të Ministrisë së Drejtësisë gjendja e trajtimit të të paraburgosurve ka ndryshuar ndjeshëm dhe deri më sot nuk disponohen të dhëna se të paraburgosurit që ndodhen në institucionet e paraburgimit në varësi të Ministrisë të keqtrajtohen.
2 Qershor 2008