Pagoi vrasës për të ekzekutuar të dashurën
NEW YORK- Aleksandar Vaçaj, shqiptari 32-vjeçar, pas shumë problemeve të lidhjes së tij me Arteda Gjelin, kishte vendosur eliminimin e saj duke paguar dy vrasës kriminelë. Historia tragjike përshkruhet në detaje sot nga mediat amerikane. Dy gangsterët latinë pasi kishin marrë paratë për të kryer krimin, tre ditë më parë, ishin drejtuar në vendin ku po punonte e dashura e Vaçajt, shqiptaro-amerikania Arteda Gjeli, 26 vjeçare, në lagjen Chinatown në Nju Jork. Policia njujorkeze arriti të ndalonte krimin pas informacioneve paraprake sekrete që kishte marrë në rrugë operative. Një ekip detektivësh të policisë amerikane kanë qëlluar vrasësit pikërisht në vendin ku ata kishin planifikuar të vrisnin shqiptaren Arteda Gjeli. Policia ka shkëmbyer zjarr me dy gangsterët latinë dhe për pasojë mbeti i plagosur në krah polici Martin Carrano, ndërsa njëri nga gangsterët u vra dhe tjetri u plagos rëndë. Gjithashtu mbeti e plagosur dhe 26 vjeçarja Gjeli. Ngjarja tragjike e gjitha është filmuar nga kamerat sekrete të instaluara në çdo kënd të ndërtesës luksoze në lagjen Chinatown në Nju Jork. “Nëse detektivi Carrano nuk do të gjendej në atë moment dramatik në vendngjarje, unë nuk do të isha më e gjallë”, ka deklaruar për gazetarët amerikane, shqiptarja Arteda Gjeli. Aleksandër Vaçaj 32 vjeçari, i cili banonte në qytetin Lodi të Nju Xhersi është shpallur në kërkim pasi akuzohet se është përgjegjës për krimin.
2 Qershor 2008