E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Sëmundjet kronike, rritje 2 për qind çdo muaj

Sëmundshmëria kronike, e cila ndiqet çdo muaj nga mjekët e familjes, rezulton me një rritje mesatarisht me 2% çdo muaj, bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Drejtoria e Mjekut në ISKSH analizon çdo muaj rritjen që pëson çdo recetë me rimbursim nëpërmjet rasteve te reja të sëmundshmërisë kronike.

Në studimin e sëmundshmërisë kronike merret në konsideratë sëmundshmëria kronike e depistuar (detyrë profesionale që mjekët e familjes kryejnë sapo regjistrojnë banorët e tyre e në vazhdim), si dhe sëmundshmëria kronike që trajtohet me recetë me rimbursim. Nga të dhënat e analizuara vihet re se ka një rritje te rasteve me sëmundje kronike të depistuar me rreth 7 për qind në vitin 2006, kundrejt vitit 2005 dhe rreth 6 për qind në vitin 2007, kundrejt vitit 2006. ISKSH bën të ditur se numri i rasteve të sëmundshmërisë kronike të depistuar ndryshon nga numri i rasteve të trajtuara me recetë me rimbursim. Sipas specialistëve, kjo shpjegohet me faktin se për arsye të ndryshme, jo të gjithë të sëmurët me sëmundje kronike të depistuar trajtohen me recetë me rimbursim.

Studimi i sëmundshmërisë kronike është në qendër të vëmendjes dhe për faktin se është një tregues i rëndësishëm në planifikimin e shpenzimeve të rimbursimit për çdo mjek familje në veçanti. ISKSH ndjek nëpërmjet inspektimeve te mjeku i familjes ndryshimet ndër vite, evidentimin dhe ndjekjen e këtyre rasteve. Nga ana e tyre, mjekët raportojnë çdo muaj ecurinë e sëmundshmërisë kronike me ndryshimet që pëson, duke evidentuar rastet e reja që shtohen çdo muaj.

Në sëmundshmërinë kronike, që trajtohet me recetë me rimbursim, janë përfshirë rreth 70 për qind e këtyre grupimeve të sëmundjeve, ose rreth 700 diagnoza kronike.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›