E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vetëpunësuarit, ndryshon masa e kontributit për pension

Ndryshon masa e kontributit për pension për shtetasit e vetëpunësuar. Dje me vendim të Këshillit të Ministrave janë miratuar ndryshimet në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë ligj ndryshimet e bëra përfshihen kryesisht kategoria e persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante. Ndërkohë që masa e kontributeve për kategorinë e personave të vetëpunësuar në bujqësi nuk ka ndryshuar.

Shpërndarja e kontributeve

Shuma minimale mujore e kontributeve për të gjitha degët e sigurimit për periudhën nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të jetë 4 879 (katër mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë. Në ndryshim shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të jetë 7% e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 038 lekë.

I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.7.2008 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind ( 26.2%, sigurim shoqëror, dhe 7 %, sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, të barabartë me 4 924 (katër mijë e nëntëqind e njëzet e katër) lekë në muaj. Këta persona llogaritin kontributet për vete dhe për pjesëtarët e familjes që nuk trajtohen me pagë dhe i paguajnë në llogarinë bankare, të përcaktuar për kontributet.

I vetëpunësuari për pjesëtarët e familjes së tij mbi 16 vjeç që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.9.2008 e në vazhdim, paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në masën 33.2 për qind (26.2%, sigurim shoqëror, dhe 7%, sigurim shëndetësor), të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, e barabartë me 4 924 lekë në muaj.

Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, sipas përcaktimeve në këtë vendim, nga data 1.7.2008 e në vazhdim të deklarojnë dhe paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 1 000 (një mijë) lekë.

Personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia, e që nuk janë të punësuar diku tjetër, duke filluar nga 1 korrik i këtij viti e në vazhdim, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor, në masën 7 për qind të pagës mujore minimale, prej 14 830 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, e në vazhdim, të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 7 800 (shtatë mijë e tetëqind) lekë.

Të vetëpunësuarit në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, të derdhin kontribut mujor për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, në masën 5 për qind të shumës 5 600 (pesë mijë e gjashtëqind) lekë në muaj, për zonat fushore, ndërsa në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë kontributi është në masën 3 për qind të shumës 5 600 (pesë mijë e gjashtëqind) lekë në muaj.

Procedurat për regjistrim

Të vetëpunësuarit në bujqësi regjistrohen në agjencitë e sigurimeve shoqërore, pas paraqitjes së certifikatës së gjendjes civile dhe të njërit nga aktet e mëposhtme:

- Vërtetimin e pronësisë mbi tokën, lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme, të komunës ose bashkisë;

- Aktin noterial, që vërteton tjetërsimin e pronës (p.sh., qiramarrje, etj.).

Në çdo rast, aktet e mësipërme duhet të jenë të shoqëruara me vërtetimin e lëshuar nga komuna, ku cilësohet se personi ushtron veprimtari, bujqësore/blektorale.

Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.

Nuk është i detyrueshëm sigurimi dhe nuk mund të llogariten detyrimet e kontributeve e të kamatëvonesave për pjesëtarët e familjeve bujqësore, të vetëpunësuar në bujqësi, për periudhën që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas ligjit nr. 7710, datë 18.5.1995, “Për ndihmat dhe përkujdesjen shoqërore”. Periudhat për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi.

Pagesa e kontributeve

Pagesa e kontributeve dhe e interesave të lidhura me to kryhet nga punëdhënësit dhe nga të vetëpunësuarit, sipas afateve të përcaktuara me ligj. Dokument bazë për pagesën e tyre është deklarata, njoftim i rivlerësimit dhe çdo dokument tjetër ligjor, i miratuar për këtë qëllim.

Të vetëpunësuarit në bujqësi i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore individualisht, një herë në tre muaj. Afati i pagesës së kontributeve është jo me vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.

Të vetëpunësuarit në bujqësi mund t`i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore, pavarësisht nga pagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore furnizon punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit me librezat e sigurimeve, shoqërore e shëndetësore. Punëdhënësi i pajis të punësuarit me librezën e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të cilën e plotëson çdo muaj, në datën e pagesës së pagës mujore. Për të vetëpunësuarit dhe pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, libreza e kontributeve plotësohet dhe vërtetohet nga strukturat vendore, të autorizuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante pajisen me librezën e kontributit të sigurimit shoqëror, nga struktura e sigurimeve shoqërore, e cila është e detyruar ta plotësojë atë në bazë të kontributeve të paguara. Pagesa e kontributeve bëhet çdo tre muaj, në bazë të njëjtave rregulla si pagesa e kontributeve nga personat e tjerë, të vetëpunësuar në biznesin e vogël.

Në tremujorin pasardhës, të vetëpunësuarit, pjesëtarët e familjes të patrajtuar me pagë, të vetëpunësuarit në veprimtari ambulante dhe të vetëpunësuarit në bujqësi vlerësohen të siguruar, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës.

Shuma bazë e përfitimeve

Shuma bazë e përfitimit do të jetë 9 515 (nëntë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) lekë në muaj. Shuma e përfitimit për personat që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e masës së pensionit, të përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, është 5 200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj. Shuma bazë e përfitimit për gratë, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetë punësuara në bujqësi, nga data 1.7.2008 e në vazhdim, është 5 200 (pesë mijë e dyqind) lekë në muaj.

Kush përjashtohet nga sigurimi i detyrueshëm

Shtetasit që punojnë në subjekte, të cilat, në bazë të një akti qeveritar, nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare.

Pjesëtarë të subjekteve të huaja, që nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare, të cilët vijnë në Shqipëri të punojnë në një punë apo shërbim të caktuar, sipas një kontrate shërbimi, të lidhur me një subjekt të regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili nuk është degë apo njësi e subjektit kontraktor.

Shtetas me rezidencë të përhershme jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët kanë veprimtari të regjistruara në emrin e tyre në të dyja shtetet, do të jenë subjekt i mbrojtjes dhe sigurimit të detyrueshëm në atë vend ku kanë rezidencën, vetëm nëse shteti i tyre ka një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore me shtetin shqiptar.

Shtetas që janë të përjashtuar nga pagimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore në Shqipëri, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur me shtetin shqiptar.

Kontributi minimal mujor, sipas degëve të sigurimit, të jetë:

% në lekë

Dega e sigurimit të sëmundjeve 0.8 119;

Dega e sigurimit të barrëlindjeve 2.3 341;

Dega e sigurimit të pensioneve 23.9 3 544;

Dega e sigurimit të aksidenteve dhe sëmundjeve profesionale

0.5 74;

Dega e sigurimit të papunësisë 2.0 297;

Sigurimet shëndetësore 3.4 504.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›