E Shtunë, 31 Tetor 2026

U shpërndahen studentëve 200 diploma pa emërtimin “Ismail Qemali”



Studentëve të diplomuar këtë vit akademik në Universitetin e Vlorës, në 200 diplomat përkatëse që u janë shpërndarë, nuk ekziston emërtimi “Ismail Qemali”. Diplomat u janë shpërndarë studentëve me 25 korrik, vetëm dy ditë para se senati i këtij universiteti të merrte vendimin për heqjen e emërtimit “Ismail Qemali”.

Diplomat

Studentët e Universitetit të Vlorës janë pajisur me një diplomë ku emërtimi i universitetit me emrin e Ismail Qemalit nuk figuron asgjëkund. Kjo diplomë u është dorëzuar nga rektorati më 25 korrik studentëve të “Ismail Qemalit”. Kjo vë akoma më në pah faktin se rektori i këtij universiteti e ka bërë fakt të kryer heqjen e emrit të Ismail Qemali nga universiteti.

Sikundër shihet qartë dhe në foto, nga një diplomë e siguruar nga gazeta “Standard”, një studente ka marrë diplomën ku në kokën e saj është shënuar vetëm “Universiteti i Vlorës”. Kjo është një shkelje e ligjit, pasi vendimi i senatit nuk është i vlefshëm pa u miratuar më parë nga Këshilli i Ministrave.

Studentët janë pajisur me diploma ku është hequr emri “Ismail Qemali”. Diplomat e studentëve kanë thjesht emërtimin e Universitetit të Vlorës, ndërsa emri i Ismail Qemalit nuk është pjesë e emërtimit të tij.

Ndërkohë, mësohet se vetëm ditët e fundit janë shpërndarë më shumë se 200 diploma për djem dhe vajza të diplomuar këtë vit në Universitetin e Vlorës.

Rektori i Universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, është shprehur se senati ka votuar propozimin e bërë dhe se deri më tani nuk është marrë asnjë vendim mbi heqjen e emrit nga ky universitet. “Dua të sqaroj se senati nuk ka të drejtë të ndryshojë emrin e universitetit, por vetëm propozon një diçka të tillë. Emri i universiteteve ndryshon vetëm me vendim qeverie”, - është shprehur rektori Shaska.

Deklarimi i rektorit, Tanush Shaska, vjen vetëm katër ditë pasi ka firmosur 220 diploma të reja për studentët e Universitetit “Ismail Qemali”. Diplomat e reja janë firmosur dy ditë para se senati i të njëjtit universitet të merrte një vendim.

Kundërshtimet

Për ndërrimin e emërtimit të universitetit tashmë në diplomë nuk duket të jetë në dijeni dhe Ministria e Arsimit, i vetmi institucion që ligji e ngarkon të marrë një vendim të tillë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është shprehur se “senati i Universitetit “Ismail Qemali” nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndërrimin e emrit”. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, rreshtohet në krah të kundërshtarëve për ndërrimin e emrit “Ismail Qemali” nga Universiteti i Vlorës. Ai e quan çështjen si abuzim me autonominë e universiteteve. “Senati i universitetit edhe kur merr vendim, në rastin konkret në parim, merr vendim për të propozuar. Ligji parashikon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës si vendimmarrës”, - ka deklaruar rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar përmes sekretarit të përgjithshëm Petrit Vasili, duke e cilësuar si fyerje të pashembullt që i është bërë ndërgjegjes kombëtare dhe figurave më të ndritura të kombit që kanë lënë gjurmë e kanë shënuar kthesat e mëdha në historinë e Shqipërisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›