E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandalet paraelektorale

Skandalet e fundit të shpërthyera mediatikisht, që kanë për kryepersonazh të huaj individin e njohur me emrin e Damir Fazliç, po bëhen shkas për ripërmendjen e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare, si një vend me probleme dhe me kapje prej mafiozëve dhe aferave. Përfolja e ditëpërditshme e qeverisë dhe e Kryeministrit për implikime familjarësh të tij në bizneset e shtetasit të vetëquajtur boshnjako-britanik Fazliç, po shtojnë skepticizmin qytetar dhe po ekspozojnë hutesën e institucioneve të hetimit dhe investigimit. Në të njëjtën kohë, këto raste po rikthejnë rrezikun e politizimit institucional të institucioneve tona kushtetuese. Deklaratat e fundit fajësuese mes zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme në adresë të prokurorëve, janë shprehje tipike e këtij rreziku molepsës. Ardhja me avion charter e zotit Fazliç, për një emision të regjistruar televiziv, e bën edhe më intriguese marrëdhënien e tij me aferat e përfolura, por më së shumti edhe me politikën dhe kontekstet e reja të saj. Ky personazh ka ngritur dilema dhe ka hedhur hipoteza të reja në marrëdhëniet e brendshme politike, si dhe ka ndëshkuar me paragjykim ndërgjegjen morale të Kryeministrit dhe disa prej figurave mbështetëse të tij në qeveri. Kryeministri Berisha ka rënë, me dashje apo pa dashje, në një "lak" paragjykimesh dhe hamendësimesh politike, në një "lak" komprometimi dhe mosbesimi në mendjen dhe gjykimin e mediave dhe qytetarëve të vendit. Në këto çaste, vetë Kryeministri gjendet në një marrëdhënie nervoze, pasi me intuitën e politikanit të regjur në llogaritë e interesave të veta, po ndjen intensifikimin e sulmeve politike nga ana e kundërshtarëve të tij të shtuar. Kreditet e qeverisë së zotit Berisha, qysh prej shpërthimit tragjik të Gërdecit dhe deri më sot, kanë pësuar rënie, sikundër imazhi i arritjeve dhe pretendimeve realizuese të saj është zvogëluar dhe eklipsuar prej serialit të skandaleve dhe aferave të publikuara mediatikisht në këto ditë kur afishimi i vitit elektoral është bërë prej ditësh.

Administrata e vendit është sot në një gjendje kritike të besueshmërisë së vet. Përballë rasteve të bujshme të Gërdecit, krizës financiare të paekspozuar tërësisht, prej rastit Fazliç, si dhe prej procedimeve jo fort transparente, qeveria është e tronditur dhe Kryeministri Berisha vetvetiu po zhytet në siklete. Kryetari i mazhorancës qeverisëse, në këto situata dhe kontekste, duket se po bie në gabimin e vendosjes jo të saktë të rendit të detyrimeve dhe detyrave, si dhe të punëve që lipset të kryejë sa më parë. Për shembull, detyra e administrimit të përgatitjeve elektorale dhe reformës zgjedhore, konsiderohet e neglizhuar dhe e vonuar në kohë, prej palëve politike, prej konstitucionalistëve dhe të gjithë të interesuarve. Të gjitha këto, së bashku, kanë formësuar një kosto të rëndë besueshmërie ndaj zotit Berisha dhe ndaj së djathtës në qeverisje. Në plan të parë, pesha negative që ka rënë mbi imazhin e qeverisë pas rastit Fazliç, mund të krahasohet me skandalin parandodhës, atë të Gërdecit. Të dyja këto çështje me ndikime madhore, ende janë të pambyllura. Në këtë kohëvonesë të hetimit dhe procesit gjykues të përgjegjësive për këto dy skandale tronditëse, qeveria e zotit Berisha po pëson shumë dhe po përballet me rënie drastike të besueshmërisë publike dhe qytetare. Në këtë kuadër, momenti përafrues i zgjedhjeve të radhës po bëhet pjesë efektive e një konteksti të ri jo vetëm politik. Procedimi parlamentar për reformën zgjedhore, dasitë mes grupeve të interesit politik dhe elektoral, si dhe procesi i kontestuar i ndryshimeve kushtetuese, janë një tjetër argument ndëshkues për vetë Kryeministrin dhe aleatët e vet të djathtë.

Gjykimet e disa prej institucioneve ndërkombëtare të BE-së apo të organizmave të tjerë priten të paraqiten zyrtarisht përmes raporteve të pritshme apo komunikimeve kalendarike.

Kohëvonesa e reformës zgjedhore po lexohet nga një pjesë vëzhguesish dhe analistësh politikë si një kurth i qëllimshëm politik. Nuk është fjala se këtë konstatim të parë e ka përcjellë një pjesë ankimtare e opozitës, por kjo lidhet me disa apele të posaçme, të miradresuara prej ambasadorëve kryesorë të BE-së në Tiranë. Ambasadori gjerman, zoti Bernd Borchart, në një intervistë televizive gjatë kësaj jave u shpreh: Nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme, atëherë pasojat për Shqipërinë do të jenë katastrofike. Vendi do të stopojë integrimin e tij në Bashkimin Evropian dhe do të bëjë shumë hapa prapa…

Këtij diplomati, që zyrtarisht karakterizohet prej një qëndrimi mbështetës për vendin tonë, i bën përshtypje pikërisht kohëvonesa e përgatitjes dhe miratimit të ligjit të ri elektoral në Parlament. Ai shton se: "Zgjedhjet e ardhshme parlamentare po afrojnë dhe kuadri i përgjithshëm duhet t‘u bëhet i ditur, në kohë, të gjitha forcave politike. Zgjedhësit shqiptarë si dhe ne, jemi në pritje të një regjistri të ri për zgjedhësit...".

Pak ditë më parë, edhe ambasadori britanik në Tiranë, shprehu gati të njëjtat rezerva për këtë kohëvonesë dhe për disa aspekte të mosrespektimit të autoritetit dhe pavarësisë ligjore të institucioneve kushtetuese. Ky skepticizëm i zakonshëm diplomatësh monitorues bëhet edhe më i vlerësueshëm kur merret parasysh tërësia e konteksteve që përmendëm më sipër.

Kjo qeveri ka për objektiv dhe qëllim riruajtjen e pozicionit qeverisës, gjatë mandatit të ardhshëm. Me këtë qëllim, ajo udhëton drejt afatit kalendarik të zgjedhjeve. Mirëpo në këtë rrugëtim ajo po përballet me dobësimin e vetvetes dhe me ndëshkimin prej aferave, skandaleve, mësymjes dhe shtimit të tonalitetit reagues të të gjithë spektrit opozitar të vendit. Përballja e saj me kundërshtarët, sipas gjasave, nuk ka për të qenë si përballja e deritanishme e shtrirë përgjatë tri vjetëve të shkuar. Opozita ka ndërmarrë tashmë një aksion të ri lëvizjeje dhe qëndrimesh, sikundër po kryen edhe një akt konsultimesh dhe asistencash për projektqeverisjen e pretenduar. Ky itinerar konsultimesh nëpër parti simotra europiane apo pranë politikanësh me përvoja të suksesshme në praktikën politike europiane, është pjesë e marketingut të ri që socialistët e Edi Ramës planifikojnë për betejën e re elektorale.

Koha e deritanishme e opozitarizmit mjafton për t‘u quajtur edhe kohë e arshivimit të gabimeve dhe mëkateve qeverisëse. Me këtë dosje gabimesh apo mëkatesh, të majtët parathonë hedhjen në sulm mbi kundërshtarin. Efekti i shpalljes së skandaleve paraelektorale duket se ka qenë i mjaftueshëm për një shenjë motorndezëse për spektrin interesashumë opozitar. Duhet të përgatitemi se breshëri i skandalshpalljes, sipas të gjitha gjasave do të vijojë i shtuar në ditët e ardhme. Opozita në këtë mënyrë shton mundësitë e reagimit dhe nxehtësimit elektoral. Njëherazi, kjo opozitë e dasuar, përmes këtij reaksioni të fuqishëm propagandistik, tenton eklipsimin e problemeve të saj të brendshme dhe të krizës marrëveshëse për skemën e kabinetpasjes, në rastin e të qenit fituese.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›