E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shirat e rrëmbyeshëm përmbysin rrugët e Beratit



BERAT - Shirat me intensitet të lartë, që kanë rënë thuajse pa pushim gjatë gjithë natës dhe mëngjesit të djeshëm, kanë bërë që pjesa më e madhe e rrugëve kryesore të qytetit të Beratit, sidomos rruga e lagjes më të populluar të qytetit, “30-vjetori”, të bllokohen e të kthehen në lumenj, duke vështirësuar jo vetëm kalimin e këmbësorëve në to, por edhe të automjeteve. Situata e krijuar ka ardhur si rezultat i bllokimit për të disatën herë të kolektorit kryesor të ujërave të zeza, i cili vjen nga lagjja e sipërme e qytetit “Kushtrim” e që më pas përshkon të gjitha lagjet e qytetit të Beratit, por edhe si rezultat i bllokimit të sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha. Çarja dhe bllokimi i këtij kolektori ka bërë që rruga kryesore që fillon nga stadiumi i ri e deri në kryqëzimin e rrugëve të qytetit, të bëhet totalisht e pakalueshme, sidomos për këmbësorët dhe tregtarët e tregut industrial që tregtojnë mallrat e tyre përgjatë kësaj rruge, ashtu siç edhe janë bllokuar thuajse të gjitha rrugët kryesore e ato të lagjeve, ndërkohë që gjendja është përkeqësuar më tepër edhe si rezultat i mosfunksionimit të kolektorëve ujëmbledhës. Kjo situatë e rënduar ka vazhduar përgjatë gjithë paradites së djeshme, ndërkohë që ulja e intensitetit të reshjeve gjatë mesditës ka bërë që prurjet në kolektorin e ujërave të zeza të bien, duke sjellë kështu edhe përmirësimin disi të situatës së krijuar në rrugët e qytetit. Por gjithsesi, për sa kohë që kolektori i ujërave të zeza do të vazhdojë të qëndrojë i dëmtuar dhe për sa kohë që kolektorët ujëmbledhës të mos funksionojnë si të tillë, rrugët e qytetit muze të Beratit do të përmbyten sërish pas çdo reshje shiu.

Reshjet, bllokohet autostrada “Lushnjë-Fier”

Një ndër akset kryesore në vend, autostrada e re Lushnjë-Fier, u bë e pakalueshme për shkak të rënies së një masivi dheu. Ndërsa rrugët e qytetit janë vështirësisht të kalueshme, ku për pasojë kanë ndodhur edhe aksidente të lehta të automjeteve. Situata akoma më e vështirë paraqitet në fshatin Ferras të rrethit të Fierit, ku 20 shtëpi janë përmbytur pas shiut të dendur që ra gjatë natës dhe po vazhdon ende. Bllokimi i rrugës kryesore që lidh Lushnjën me Fierin solli një mbingarkim të trafikut, ndërsa të gjitha automjetet iu kthyen “rrugës së vjetër”, e cila është tashmë jashtë çdo standardi të pranueshëm për qarkullimin e automjeteve. Puna për zhbllokimin e autostradës ka qenë e vështirë, pasi ekipet e emergjencës nuk u përballën vetëm me një masiv të stërmadh dheu në mes të rrugës, por dhe me reshje të vazhdueshme që e shtonin madhësinë e masivit dhe paralizonin mundësitë e ekipeve për ndërhyrje. Vetëm rreth pasdites u mundësia normalizimi i gjendjes në këtë rrugë.

4 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›