ISKSH-ja: Status publik jobuxhetor për spitalet
Drejtoresha e ISKSH-së, Hana, ka pohuar se, brenda pak ditësh do të bëhen ndryshimet ligjore për futjen e spitaleve në skemë
Reformë për përfshirjen e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore. Ky ka qënë qëllimi i mbledhejs së djeshme nëmbledhjen e radhës të Këshillit Administrativ të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, nën drejtimin e kryetares, Ministres së Shëndetësisë, znj. Anila Godo. Kështu u shqyrtuan ndryshimet e para ligjore që do t’i hapin rrugë shtrirjes së skemës së sigurimeve në shërbimin spitalor. Sipas Godos, brenda pak ditësh, këto ndryshime ligjore do të shkojnë në Qeveri për miratim. “Ky projektligj iniciohet nga ISKSH-ja për t’i hapur rrugë reformës për përfshirjen e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore, në mënyrë që të kemi të drejtë ligjore të ndërhyjmë me financimin në sistemin spitalor. Paralelisht jemi duke punuar edhe për përgatitjen e bazës së plotë ligjore, por fillimisht duhet ky ndryshim i parë i rëndësishëm, për t’i hapur rrugë reformës në shërbimin spitalor”, - tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Sipas saj, aktualisht, themelor është statusi i spitaleve, ku synohet që, statusi i tyre, të jetë publik (jobuxhetor) në mënyrë që të ketë decentralizim në vendimmarrje. “Ne do të kemi një kontratë, fillimisht me spitalin, dhe në një fazë të dytë, drejtuesi i spitalit, do të ketë kontratë me pjesën tjetër të stafit. Por mbetet themelor roli i Ministrisë së Shëndetësisë në vendosjen e standardeve dhe normativave të caktuara”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së. Ndësa ministrja Godo, ka pohaur se nuk do të ndryshojë çdo gjë me çelës me 1 janar 2009. Gjithçka, sipas saj, do të shihet hap pas hapi, por e rëndësishme është ta ndërmarrim këtë nismë. “Kam konstatuar gjatë muajve të parë të detyrës sime, 4-5 spitale në rrethe, që kishin stoqe medikamentesh të caktuara dhe mungesa themelore në medikamente të tjera. Kjo ka ardhur si pasojë e planifikimeve të bëra në Ministri që ishin të ndryshme nga kërkesat e bëra nga disa spitale. Këto fenomene duhet të eleminohen dhe mund të eleminohen me futjen e spitaleve në skemë”, - pohon Godo.