E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT-ja: Stop operacioneve plastike, janë të kushtueshme

Sipas kirurgëve në QSUT, spitali nuk është në gjendje të përballojë operacionet plastike. Drejtoria: Ja argumentet

Operacionet plastike që bëhen për efekte estetike, nuk do të realizohen më në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ky është vendimi i personelit pranë shërbimit të ORL-së në këtë spital, të cilët kanë theksuar se, këto operacione janë të kushtueshme dhe jo të domosdoshme për ata që i dëshirojnë. Ndërkohë, edhe burime zyrtare pranë drejtorisë së QSUT-së, kanë dhënë argumentet e tyre se, përse këto operacione nuk ofrohen më pranë këtij shërbimi.

Operacionet

Nëse dikush kërkon të ketë tipare më të bukura dhe këtë do ta realizojë në shërbimin publik, duket se shërbimi i ORL-së nuk do të jetë në shërbim të tyre. Sipas kirugëve të këtij shërbimi, spitali, prej disa kohësh, nuk është në gjendje të ofrojë shërbim korrekt për pacientët që kanë nevoja më të domosdoshme në këtë shërbim, ndaj, operacionet që kërkohen për qëllime estetike, nuk mund të shikohen si prioritet. Sipas tyre, këto operacione, janë të kushtueshme dhe personat që i dëshirojnë, mund t’u drejtohen klinikave private për t’i realizaur. “Sigurisht që ne bëjmë operacione plastike që janë problematike dhe të domosdoshme, por nuk mund të bëjmë operacione që kërkohen për të rregulluar hundën, rritur gjoksin apo fryrë buzët, pasi ato janë të kushtueshme dhe, padyshim që, shërbimi nuk i përballon dot”, - pohojnë kirurgët e ORL-së, duke shtuar se, në spital, ka patur prej kohësh mangësi të materialeve më të domosdoshme, ndaj dhe këto operacione, për momentin, janë luks. Ndërkohë, mjekët pohojnë se, vitet e fundit, janë rritur kërkesat për operacionet plasike për efekte estetike, sidomos tek të rinjtë. Sipas tyre, kërkesat më të larta, janë operacionet plastike për hundën, veshët, por ka edhe vajza të reja që kërkojnë fryrjen e buzëve dhe rritjen e gjoksit.Por, nga ana tjetër, personeli siguroi se, operacionet plastike që janë të domosdoshme, që janë shkaktuar nga ndonjë aksident, apo nga ndonjë sëmundje dhe duhet patjetër ndërhyrje, do të vazhdojnë të realizohen.

Drejtoria

Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, argumentoi se përse janë ndërprerë operacionet plastike në shërbimin e ORL-së, ku, sipas tyre, kjo ka ndodhur para pak kohësh. Kështu, drejtoria pohon se operacionet plastike që bëhën me dëshirë për qëllime estetike, nuk janë të rimbursueshme, madje as në spitalet e huaja këto opercione nuk rimbursohen. “Këto operacione janë të kushtueshme dhe bëhen për qëllime estetike, çka do të thotë se nuk janë të domosdoshme, ndaj dhe të interesuarit mund t’i gjejnë në klinika private, apo jashtë shtetit, pasi sektori publik nuk është i detyruar t’i ofrojë ato”, - pohojnë burime pranë QSUT-së.

Projektligji: Operacionet plastike nuk rimbursohen

As ligji aktual, por as projektligji për shërbimet shëndetësore, nuk parashikon që operacione plastike me qëllime estetike, të jenë të rimbursueshëm nga shteti. Kjo do të thotë se, edhe personat që janë të siguruar, nëse kërkojnë një oepracion plastik, duhet të paguajnë në masën 100 përqind për këto operacione, pasi shteti nuk merr asgjë në konsideratë. Sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe në vendet e zhvilluara, operacionet plastike nuk janë të rimbursueshme nga shteti, por të interesuarit duhet të paguajnë sipas çmimeve të tregut. “Shteti ka një paketë të shërbimeve bazë që janë të rimbursueshme dhe, operacionet palstike me disa shërbime të tjera, nuk janë në këtë paketë, por janë futur qëllimisht në paketën e shërbimeve që nuk rimbursohen nga shteti”, - pohojnë specialistët e shëndetësisë, duke shtuar se, në fund të fundit, këto janë operacione qejfi dhe jo operacione halli, për të cilat shteti duhet të mabjë përgjegjësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›