E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndëshkohen gjyqtarët që falën Delijorgjin

Sipas KLD-së, gjyqtarë Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo shkelën ligjin duke i falur Delijorgjit 122 milionët e kontrabandës

Këshilli i Lartë i Drejtësisë shkarkoi me shumicë votash 3 gjyqtarët e Apelit Ushtarak. Nuk munguan debatet

TIRANË- Shkarkohen nga detyra tre gjyqtarët që falën Mihal Delijorgjin. Pas shumë debateve, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë vendosën me shumicë votash të shkarkojnë gjyqtarët e Apelit Ushtarak në Tiranë, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo. Lajmi u bë i ditur nga zvkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, i cili pas mbledhjes së zhvilluar me dyer të mbyllura, lexoi për mediat një deklaratë për shtyp. Anëtarët e KLD-së e kanë konsideruar shkelje të ligjit, vendimin e 17 dhjetorit 2007 nga kolegji gjyqësor që liroi nga dënimi dhe akuza Mihal Delijorgjin. “Anëtarët e KLD-së, në mbledhjen e djeshme morën në shqyrtim kërkesën për procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak në kryeqytet, Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo. Ky procedim ka filluar mbi verifikimin e veprimtarisë gjyqësore ndaj këtyre tre gjyqtarëve, të kryer nga Inspektorati i KLD-së, mbi bazën e një ankese të bërë publike nga mediat vizive dhe të shkruara”,-nënvizoi pas mbledhjes nënkryetari i KLD-së, Spahiu.

Sipas tij, çështja penale që tre gjyqtarët kanë gjykuar i referohet procesit penal në ngarkim të shtetasit Mihal Delijorgji, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose të formularëve”, si dhe “kontrabandës me mallra të tjera”. Në këtë proces, nga tre gjyqtarët e mësipërm është vendosur edhe mbi padinë civile tëDegës së Doganës Durrës, duke i falur Delijogjit 122 milionë lekë të reja, të cilat ai i detyrohej doganës. “Në përfundim të procedimit disiplinor, KLD-ja me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, ka evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga kolegji gjyqësor i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Minka, dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas kësaj dispozite, kur ndaj të pandehurit vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile në procesin penal lihet e pashqyrtuar. Anëtarët e Këshillit, gjatë analizimit të çështjes kanë konstatuar se rrëzimi i padisë civile, në një proces penal, në përfundim të të cilit, është vendosur pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, vjen në kundërshtim të hapur me dispozitën e mësipërme urdhëruese të ligjit procedural penal dhe në të njëjtën kohë, ka sjellë pasoja të rënda për shtetin shqiptar, duke i hequr këtij të fundit mundësinë e pretendimit para një gjykate, të shpërblimit të dëmit në masën e konsiderueshme prej122. 668. 851 lekësh”,-thuhet në fjalën e zvkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu.

Për këto shkelje, KLD-ja vendosi me shumicë votash shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo. Mësohet se gjatë mbledhjes së djeshme, në orën 14:00 të ditës së djeshme, anëtarët e KLD-së para se të tërhiqeshin për vendim kanë dëgjuar pretendimet e avokatëve mbrojtës të tre gjyqtarëve dhe vetë fjalët e tyre, të cilët kanë akuzuar zvkryetarin e KLD-së se i ka deklaruar fajtorë prej kohësh. “Duke marrë shkas nga deklaratat mediatike të zvkryetarit Kreshnik Spahiu në lidhje me masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, kërkojmë përjashtimin nga e drejta e votës të tij”-ka pretenduar mbrojtja. Kjo kërkesë nuk është pranuar dhe pas relatimit të avokatëve në mbledhje ka ardhur për të votuar edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi, që mësohet se ka qenë pro shkarkimit të tre gjyqtarëve. Ndërkohë, edhe përkundër debateve mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe zvkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu për inspektimin e dosjes “Delijorgji” nga inspektorët e zyrave përkatëse, ministri Alibeaj ka parashtruar kërkesën për masa disiplinore shkarkim nga detyra për tre gjyqtarët Gradica, Minka dhe Pejo, kërkesë kjo që u miratua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

SHKELJET E GJYQTARËVE

1. Marrja në shqyrtim e padisë civile, pa pasur ankim prej palës së paditur në procesin penal

2. Përfshirja në dosje gjyqësore të disa provave të pretenduara nga avokati mbrojtës, pa marrë vendim të ndërmjetëm për përsëritjen tërësisht apo pjesërisht të hetimit gjyqësor, në kundërshtim me nenin 427/1 të Kodit të Procedurës Penale

3. Gjykata e Apelit nuk duhet të ishte shprehur për padinë civile në procesin penal, pavarësisht nëse kishim ankim apo jo, në respektim të nenit 68/2, të K.Pr.Penale sipas të cilit: “Kur jepet vendim pafajësie, për shkak se fakti nuk parashikohet si vepër penale ose kur vendoset pushimi i çështjes penale, padia civile lihet e pashqyrtuar”

Vendimet e gjykatave që i falën Mihal Delijorgjit kontrabandën e skrapit

Kalvari i proceseve që nxorrën të fituar “arkitektin” e Gërdecit

TIRANË- Procesi i parë gjyqësor kundër atij që do të njihej si “arkitekti“ i Gërdecit, Mihal Delijorgji, ka ulje-ngritjet e veta, deri në faljen e plotë të tij. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur më 28 dhjetor 2006 që Delijorgji të dënohej me 10 milionë lekë gjobë për akuzën e kontrabandës. Ndërsa për akuzën e “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” është deklaruar i pafajshëm, me argumentin se “fakti nuk përbën vepër penale më vete”. Pjesë e kësaj vendimmarrjeje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës ka qenë edhe pranimi i padisë civile të ngritur në proces penal, nga Dega e Doganës Durrës ndaj Shoqërisë Tregtare “Përparimi” sh.a, me president Mihal Delijorgjin, kompania e të cilit ishte e detyruar nga gjykata t’i paguante shtetit dëmin prej më shumë se 122 milionë lekë. Tjetër vendim kanë dhënë tre gjyqtarët e Gjykatës së Apelit në Durrës, të deleguar për gjykimin e kësaj çështjeje. Pas shqyrtimit të këtij ankimimi, tre gjyqtarëte Apelit ushtarak, për llogari të Gjykatës së Apelit Durrës kanë rrëzuar akuzën ndaj Delijorgjit, duke e shpallur atë të pafajshëm. Sipas vendimit të datës 17 dhjetor 2007, është prishur vendimi i Gjykatës së Rrethit Durrës mbi deklarimin fajtor dhe dënimin e të pandehurit për veprën penale të “Kontrabandës me mallra të tjera”, duke u vendosur pushimi i çështjes, me argumentimin se nuk provohen elementët e veprës penale. Në të njëjtën kohë, Gjykata e Apelit është shprehur edhe për rrëzimin e padisë civile në procesin penal, duke e nxjerrë “të larë” Delijorgjin në historinë e kontrabandës së skrapit.

VENDIMI I APELIT

Pjesë nga vendimi i tre gjyqtarëve të shkarkuar

TIRANË- Në vendimin e saj, Gjykata e Shkallës së Parë, jo vetëm që nuk ka vlerësuar pretendimet e të pandehurit dhe mbrojtjes së tij, por as që ka marrë në konsideratë provat e paraqitura nga ana e tyre për t’i ballafaquar me provat e akuzës, të cilat do ta çonin në një konkluzion të drejtë gjykatën për kryerjen ose jo të veprës penale për të cilën është dënuar. I pandehuri Mihal Delijorgji, pasi kishte hyrë në lidhje me shoqërinë “Felmond Trading” me qendër në Greqi, se e kishte gati hekurin për kompensim të skrapit, i kërkon këtij të fundit të dërgojë një anije për ta tërhequr mallin nga Italia, mall i cili pasi tërhiqet nga i pandehuri në rrugë private, arrin në portin e Durrësit, ku deklarohet nga i pandehuri se ky hekur kishte ardhur për llogari të kompensimit të skrapit. Në vendimin nr.46, datë 31.03.2004 të degës së doganës Durrës, është vendosur që të anulohet deklarata doganore e të pandehuri, pasi malli i importuar nuk ishte produkt i kompensimit të skrapit, duke e detyruar të pandehurin të paguajë tarifën doganore, TVSH-në dhe gjobën për këtë deklarim, vlerën e të cilave i pandehuri e ka paguar, ku ky mall është trajtuar në qarkullimin civil si hekur për ndërtim nga ana e të pandehurit. Në këto rrethana, shteti nuk ka pësuar asnjë dëm për hekurin e importuar nga ana e të pandehurit dhe vetë dega e Drejtorisë së Doganave Durrës e ka konsideruar veprën e të pandehurit si kundërvajtje administrative. Në këto rrethana, mungon ana subjektive e kryerjes së veprës penale, pasi i pandehuri ka qenë në mirëbesim se malli po i vjen si kompensim të skrapit. Prandaj, edhe kjo akuzë në ngarkim të të pandehurit duhet të pushohet për mungesë të elementëve të veprës penale, atë të kontrabandës me mallra të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›