E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasjet me drejtësinë, KE: Të shqetësuar për pavarësinë

Ambasadori i Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan, sërish “këmbana” alarmi për qeverinë shqiptare

TIRANË- Komisioni Evropian paralajmëron një tjetër herë qeverinë shqiptare për acarimin e marrëdhënieve me institucionet e drejtësisë. Paraditen e djeshme, në katin e parë të Ministrisë së Drejtësisë u organizua një konferencë për projektin e binjakëzimit të financuar nga Bashkimi Evropian, në lidhje me “Përmirësimin e Sistemit Gjyqësor për Çështjet Tregtare”, por edhe në këtë aktivitet, kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan nuk i ka kursyer këmbanat e alarmin për cënimin e pavarësisë së gjyqësorit. “Sistemi i Drejtësisë funksionon në bazë të dy parimeve; në përgjegjshmërinë përpara ligjit dhe në pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, nga ana e ndikimeve politike. Ne shqetësohemi në rast se ky ekuilibër ndërmjet përgjegjësisë dhe pavarësisë do të prishet”,-tha ambasadori i KE-së, Lohan para të pranishmëve.

Duke i komentuar kështu përplasjet e kohëve të fundit mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, Lohan u ka bërë thirrje gazetarëve të kenë durim deri më datë 5 nëntor, kur do të publikohet nga Komisioni Evropian progres- raporti vjetor për Shqipërinë. Sipas deklaratës së ambasadorit Lohan duhet pritur deri më datën 5 nëntor kur ky raport do të publikohet për të parë se qeveria ka marrë apo jo notë kaluese për mënyrën sesi ajo është sjellë me institucionet e pavarura në vend, mes tyre institucionet e drejtësisë. Ndërkaq, vetëm pak ditë më parë, gjatë një takimi të organizuar nga “Transparency International Albania” me grupet e interesuara dhe shoqërinë civile në lidhje me reformën në drejtësi, shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve, noterëve dhe avokatëve kundërshtuan dhe renditën argumentet kundër projektligjeve që Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar për miratim në Kuvend, duke i cilësuar si drafte ligjore që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Projekti për “Përmirësimin e Sistemit Gjyqësor për çështjet Tregtare në Shqipëri” është një projekt binjakëzimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe të Austrisë, që rekomandon specializimin e gjyqtarëve dhe Gjykatave, të cilët merren me të drejtën tregtare në vendin tonë, ku projekti është financuar nga Bashkimi Evropian, me një vlerë prej 1 milion euro. Sipas diskutantëve, ekspertët që po punojnë për këtë projekt, rekomandojnë përshtatjen e kodit civil shqiptar sipas rregullave të BE-së lidhur me agjentët tregtarë, pagesat me vonesë dhe mbrojtjen e konsumatorit, përmirësimin e specializimit të gjykatësve në çështjet tregtare, përqendrimin e çështjeve tregtare në më pak gjykata rrethesh, me qëllim, rritjen e efiçencës dhe monitorimit të kohëzgjatjes së zhvillimeve gjyqësore. Shefi i delegacionit të KE-së, Lohan, u shpreh për projektin se përmirësimi i punës gjyqësorit mbi çështjet tregtare do të sjellë rritjen e besimit të publikut dhe komunitetit të biznesit. Kjo sipas tij, do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e sektorit privat dhe në veçanti, investimeve të huaja, pasi investitorët do të mbështeten mbi zbatimin e duhur të ligjit dhe një shkallë parashikueshmërie në bizneset e tyre.

Megjithë kundërshtimet e shumta, ministri i Drejtësisë nuk tërhiqet nga projektligjet

Alibeaj: Reforma kërkon sakrifica

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkeljed Alibeaj, për të disatën herë shprehu qëndrimin e tij se megjithë kundërshtitë masive, është i vendosur t’i dërgojë deri në fund të gjitha projektligjet e përgatitura muajt e fundit në emër të reformës në drejtësi. “Pakënaqësitë do të kalojnë me kohën, por duhet pasur parasysh faktin se një reformë e suksesshme në drejtësi ka kosto dhe sakrifica, të cilat duhet të mbahen mbi shpatulla nga disa individë apo institucione”-tha Alibeaj, duke shtuar se nuk do të heqë dorë nga heqja e imunitetit të prokurorëve. “Në lidhje me pretendimin e Shoqatës së Prokurorëve, por për të njëjtin koncept për imunitetin e tyre, nuk ka nevojë të jesh politikan, mjafton të jesh jurist, të kesh lexuar kushtetutën. Kushtetuta nuk rezervon asnjë koncept imuniteti për prokurorët. Kështu, jo vetëm politikisht, por edhe juridikisht ky koncept për më tepër për prokurorët nuk duhet të ekzistojë”,-tha ministri Alibeaj, me një ton të ashpër. Ndërkohë, hodhi poshtë zërat e inspektorëve të KLD-së, shoqatës së gjyqtarëve, asaj të prokurorëve, avokatëve dhe noterëve se nuk janë marrë parasysh kërkesat dhe pretendimet e tyre. “Tërë trupa e prokurorëve është konsultuar, përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë pjesë e grupit të punës së draftimit të këtij projektligji, ku janë diskutuar dhe rënë dakord për pika të ndryshme. Tërë trupa gjyqësore është konsultuar për ligjin për administratën gjyqësore, është ftuar konferenca gjyqësore, asambleja e gjithë gjyqtarëve të japin opinionin tyre mbi këtë ligj. I tërë komuniteti i avokatëve është konsultuar për ligjin, për ndryshimet, përfaqësuesit më të lartë të komunitetit të nderuar të avokatëve kanë qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e ndryshimit të ligjeve për Avokatinë si dhe i tërë komunitetit i noterëve është konsultuar dhe i është marrë mendim për ligjin për noterinë”,-tha ministri Alibeaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›