E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjetet klandestine drejt Greqisë, bien në pranga dy trafikantë



GJIROKASTËR – Rikthehet trafiku klandestin nga Gjirokastra drejt Greqisë. Burimet zyrtare të policisë së qytetit jugor bëjnë të ditur se dy persona janë ndaluar nga policia shqiptare dhe ajo e vendit fqinj, të dyshuar për trafik klandestinësh. Sipas zëdhënësit të Policisë së Qarkut, Gentian Mullai, mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 18:30, është ndaluar shtetasi Fatmir Fejzaj, pasi është kapur në flagrancë në fshatin Glinë, duke shoqëruar 4 shtetas me banim në rrethin e Fierit, të cilët dyshohet se po udhëtonin në mënyrë ilegale drejt Greqisë. Mullai pohon se policia greke ka kthyer në kufi edhe shtetasin Gazmend Subashi, së bashku me tre emigrantë ilegalë të tjerë me banim në Berat. “Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe procedurale nga ana e specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë e mundur dokumentimi i plotë i kësaj vepre penale, si dhe ndalimi i 27-vjeçarit Subashi”, - bëjnë të ditur burimet policore.
Trafikimi
Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se rreth orës 23:45 të ditës së enjte, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Fatmir Fejzaj, lindur dhe banues në fshatin Nishen të rrethit Mallakastër. Prangosja e 25-vjeçarit është bërë për arsye se të njëjtën ditë, rreth orës 18.30 është ndaluar në flagrancë në afërsi të fshatit Glinë të rrethit Gjirokastër nga ana e shërbimeve të policisë të Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, duke shoqëruar katër shtetas me banim në Fier”. Sipas të dhënave zyrtare, Fejzaj “po i ndihmonte për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme kundrejt fitimit 600 euro për person”. Policia vendore sqaron se në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër u bë dokumentimi i plotë i kësaj vepre penale dhe vënia e autorit para përgjegjësisë penale”.
Të njëjtën ditë, rreth orës 18:30, agjentët e seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme kanë bërë ndalimin e shtetasit Gazmend Subashi, lindur dhe banues në Berat. “Ndalimi i 27-vjeçarit u bë për arsye se më 9 shtator ai ka ndihmuar për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Greqinë 3 shtetas nga Berati, të cilëve u ka marrë nga 600 euro për person”, - thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Ky shtetas së bashku me tre shtetasit e tjerë, të cilët i kishte ndihmuar për të kaluar kufirin, është kthyer si riatdhesuar nga ana e policisë fqinje në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës pasditen e së enjtes. Sipas zëdhënësit Mullai, “pas një pune hetimore dhe procedurale nga ana e specialistëve të Seksionit të Luftës Kundër Trafiqeve të Paligjshme, është bërë e mundur dokumentimi i plotë i kësaj vepre penale, si dhe ndalimi i autorit”. Shtetasit Fatmir Fejzaj dhe Gazmend Subashi po hetohen nga prokuroria e rrethit pasi akuzohen për veprën penale të “dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim fitimin”.
Rastet
Rreth dy muaj më parë, Policia e Shtetit organizoi një operacion në shkallë të gjerë në luftën kundër trafikut klandestin. Brenda një periudhe prej disa ditësh u ndaluan disa grupe të organizuara të trafikut të klandestinëve, të cilët kalonin emigrantë ilegalë përmes Sarandës, Gjirokastrës dhe Korçës drejt Greqisë. Ata funksiononin si një rrjet i mirë-organizuar me aktivitet në shumë rrethe të vendit, dhe pasi gjenin shtetasit që kërkonin të hynin në territorin grek, bënin kalimin e tyre përmes rrjeteve të trafikantëve. Mes të ndaluarve ishte edhe një prift nga Lushnja.

Box 1

Ndalohet në port kosovari me pasaportë false

DURRËS - Një kosovar është ndaluar nga autoritetet e Portit të Durrësit teksa mundohej të kalonte në shtetin fqinj, me drejtim Italinë me një pasaportë të falsifikuar. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 23:50, është ndaluar shtetasi Shemsedin Ramanaj kur po mundohej të ngjitej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, duke shfrytëzuar ngjashmërinë me një tjetër shtetas. Pas verifikimit, rezultoi se 36-vjeçari përdorte një pasaporte maqedonase të falsifikuar. Nga ana e policisë u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të pasaportës maqedonase dhe të gjitha materialet iu kaluan prokurorisë Durrës për ndjekje të mëtejshme.

Zhduken 30 mijë euro, hetime për vjedhje brenda familjes

DELVINË - Edhe pse familjarët ishin duke fjetur brenda në banesën e tyre hajdutët nuk janë stepur për të hyrë në dhomën e gjumit, atje ku poshtë krevatit bashkëshortor, Llambrini Spiro mbante jo pak, por 30 mijë euro, sasi kjo e grumbulluar nga puna e shumë viteve në emigracion në shtetin fqinj të Greqisë. Konstatimi i vjedhjes së lekëve është bërë vetëm në mëngjes kur e zonja e shtëpisë ka kontrolluar dhe ka parë që çanta ku ndodhej shuma marramendëse ishte zhdukur. Ndërkohë kjo ngjarje ka mbetur e pashpjeguar për pronarët e shtëpisë në Delvinë, të cilët nuk kanë arritur të kuptojnë sesi hajdutët kanë arritur të hynin në shtëpi dhe asnjë nga familjarët nuk ka dëgjuar asgjë, aq më tepër në dhomën e tyre bashkëshortore. Burimet zyrtare të Policisë së Sarandës bëjnë të ditur se janë shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen e rëndë, ku nuk përjashtohet mundësia e kryerjes së veprës edhe nga ndonjë person i afërt.

Dhunon mjeken, shpallet në kërkim nga policia

BERAT - Një tjetër mjek ka rënë pre e dhunës dhe autori i saj është shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja mësohet se ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “Barrikadë” të qytetit të Beratit, ku mjekja pediatre Ermira Prifti ka rënë pre e dhunës fizike nga një pacient i saj. Bëhet e ditur se autori i dhunës, Afrim Çaçi, fillimisht është grindur dhe më pas ka ushtruar dhunë verbale dhe fizike ndaj mjekes.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një debati për recetën e ilaçeve. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, pacienti ishte paraqitur për të plotësuar një recetë të përmuajshme që merrte në mënyrë sistematike në qendrën shëndetësore të lagjes së tij. Fillimisht Çaçi ka akuzuar mjeken për mos vendosjen e një ilaçi në recetën personale, gjë që është kundërshtuar nga mjekja.
Pasi i ka shpjeguar pacientit që ilaçi i kërkuar nuk përfshihet në listën e barnave të rimbursuara nga shteti, 30-vjeçari jo vetëm nuk është bindur por ka ofenduar këtë të fundit dhe më pas e ka qëlluar. Kjo e fundit ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila shpalli në kërkim shtetasin Afrim Çaçi.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›