E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet, kërkohej për tentativë vrasjeje



DURRËS – Vetëm tri javë ka mundur të gëzojë lirinë, pas tentativës për vrasjen e një fqinjit të tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se pasditen e së enjtes, rreth orës 16:00 është bërë ndalimi i shtetasit Ergys Deliallisi, banues në Durrës, pasi është shpallur në kërkim nga policia për veprën penale të vrasjes me dashje e mbetur në tentativë, ngjarje kjo e ndodhur më datë 25 gusht të këtij viti. Deliallisi tentoi të vriste me armë zjarri E. H., banues po në të njëjtën lagje me të dyshuarin. Pas kryerjes së procedurave të gjitha materialet i kanë kaluar prokurorisë së Durrësit.

Shpallet në kërkim, aksidentoi të moshuarën me makinë

DURRËS - Një 20-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e Durrësit, pasi mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 19:00, ka plagosur me automjetin tip Fiat një të moshuar. Sipas burimeve të policisë, Erjon Kasa, banues në Durrës, në kohën kur po drejtonte automjetin, ka qenë i pa pajisur me leje drejtimi dhe për pasojë ka humbur kontrollin mbi automjetin. Si pasojë është dëmtuar këmbësorja S. F. 62 vjeçe, e cila pas mjekimit të marrë u largua për në banesën e saj pa probleme serioze. Ndërkohë bëhet e ditur se ndaj të riut ka filluar procedimi penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Denoncoi bashkëshortin për dhunë, nisin hetimet

DURRËS - Një grua e re ka denoncuar në polici dhunë, sipas saj fizike dhe psikologjike, të ushtruar sistematikisht nga i shoqi. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dje ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Mehdi Jaupi. I dyshuari, lindur në Gramsh dhe banues në Lagjen periferike Nr. 15 në Durrës, akuzohet se ka dhunuar fizikisht të shoqen e tij 29-vjeçare I. Jaupi, duke ushtruar ndaj saj rrahje dhe fyerje të shumta. E dhunuara është marrë nën mbrojte, ndërsa kanë nisur hetimet ndaj 45-vjeçarit Jaupi.

13 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›