E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH-ja, nis kontrollin nëpër qendrat shëndetësore në kryeqytet

Specialistët do të monitorojnë punën e kryer nga mjekët gjatë 6-mujorit të parë. Priten penalizime për të gjitha rastet ku do të evidentohen abuzime nga bluzat e bardha

Emanuela Sako

Mjekët e kryeqytetit që janë pjesë e qendrave shëndetësore do të monitorohen për punën e kryer gjatë këtij gjashtë mujorit të parë. ISKSH-ja do të kryejë inspektime në vazhdimësi për punën që kanë bërë mjekët dhe plotësimin e kritereve të vendosura nga ky institucion. Specialistët do të vlerësojnë punën që është bërë për kujdesin ndaj pacientëve, vizitat e kryera, paraqitjen e mjekëve në punë, regjistrimin e banorëve tek mjeku i lagjes etj. Në bazë ta arritjeve në punë, mjekët do të marrin shpërblimet përkatëse, që mund të jetë deri në një pagë shtesë. Nga ana tjetër do të merren edhe masat penalizuese për të gjithë personelin mjekësor që kanë abuzuar me punën. I gjithë kontrolli do të përqendrohet më tepër në rastet e zbatimit të skemës së re, që është pjesë e reformës në shëndetësi. Për herë të parë mjekët në poliklinika duhet të plotësojnë një formular ditor në fund të përfundimit të ditës së punës. Në këta formularë mjekët duhet të japin të detajuar aktivitetin e përditshëm shëndetësor, numrin e vizitave dhe procedurat mjekësore që janë ndjekur për çdo pacient. Formulari do të dorëzohet në drejtorinë përkatëse të poliklinikës.
Mjekët
Mjekët marrin shpërblime në bazë të punës së kryer, nga të ardhurat dytësore që kanë siguruar gjatë muajve që kanë punuar. Sipas rregullores, mjekët nuk mund të marrin më shumë se dy paga shpërblim gjatë punës së bërë për gjithë vitin. Ndërkohë që në rast shkeljesh janë parashikuar masat penalizuese të ndryshme. Nëse mjekët kanë abuzuar me punën, masat e marra nga ISKSH-ja fillojnë që nga vendosja e gjobave dhe deri në pezullim nga puna. Pas përfundimit të inspektimeve, pritet të bëhen të ditura të gjitha rezultatet përfundimtare që janë kryer në të gjitha qendrat shëndetësore. Specialistët kanë gjetur shpesh të tilla raste abuzimesh në qendrat shëndetësore nga kontrollet e ushtruara më parë, ku ka marrë masa penalizuese ndaj personelit abuzues me rregulloren.
Shkeljet
Nga inspektimet e mëparshme, ISKSH-ja ka evidentuar abuzime në aktivitetin e mjekut të përgjithshëm dhe të familjes, ku janë konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuale, pasaktësi në dokumentimin e aktivitetit profesional të mjekut, pasaktësi në regjistrimin e banorëve që mbulojnë me shërbim shëndetësor, duke shkelur parimin e zgjedhjes së lirë të mjekut, domethënë duke regjistruar të njëjtët banorë nga mjekë të ndryshëm, dhe kjo është verifikuar në Poliklinikën Nr. 10. Në poliklinika është vërejtur edhe fenomeni i zhvatjes së parave të qytetarëve të pasiguruar, duke i kërkuar para në dorë dhe pa prerë faturën e detyrueshme për kryerjen e vizitës. Në qendrën shëndetësore “Kashar”, një mjeku, përveç mungesave të shprehura në punë në ambientet e pikës shëndetësore, iu gjendën dhe sasi barnash. Në zbatim të kontratës në fuqi, drejtorit të qendrës shëndetësore iu dha masa disiplinore “Paralajmërim për pushim nga puna”. Abuzime janë kryer edhe në kartelën personale të pacientit, e cila u paraqit me shumë mangësi. Mangësitë e vërejtura janë në rastet kur nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës së njohur mjekësore, nuk plotësohet saktë ecuria e sëmundjes, diagnostikimit, ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. Diagnozat nuk mbështeten me ekzaminime, nuk argumentohet në kartelë arsyeja e dërgimit të të sëmurit te mjeku specialist, nuk pasqyrohen në kartelë të gjithë vizitat e kryera. Po kështu, nuk zbatohet praktika e njohur mjekësore për përshkrimin në kartelën personale të treguesve kryesorë të vendosjes së diagnozës dhe mjekimit. Njëkohësisht nuk respektohet sistemi i referimit për rekomandimet te mjeku specialist dhe në spital, si dhe shkelje të kufizimit të listës dhe protokollet e përdorimit të barnave, kryesisht për sistemin kardiologjik, pulmonar dhe traktit urinar etj. Përveç kësaj, nuk argumentohen të gjithë rastet e reja kronike dhe ndryshimi terapive sipas detyrimeve kontraktuale.

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›