E Diel, 1 Nëntor 2026

Gripi i Derrit, në Greqi preket nga virusi edhe 16-vjeçari shqiptar



Fluksi i madh i emigrantëve gjatë muajve të verës vënë rrezik popullsinë nga përhapja e virusit të gripit të derrit. Megjithëse, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur masat e marra në kufi, situata pandemike që mbizotëron në të gjithë botën bëhet edhe më e rrezikshme për vendin tonë. Dy ditë më parë Ministria Greke e Shëndetësisë verifikoi rastin e një 16- vjeçari shqiptar që ishte i prekur nga virusi A, H1N1. Ky rast, vërteton edhe njëherë rrezikun që kanoset në vendin tonë. Ministria jonë e Shëndetësisë, ka njoftuar masat e marra dhe sigurimin e vaksinës kundër gripit të derrit dhe sigurimin e dozave të Tamiflusë. Ministria e Shëndetësisë, po përgatitet për sigurimin e dozave të Tamiflusë nga vendet e tjera, por nuk mund të sigurohen të gjitha dozat për numër popullsie. Ministria ka porositur 10 mijë doza të tjera Tamiflu, për të parandaluar përhapjen e gripit të derrit.
Gripi i derrit pritet të shfaqet më i rrezikshëm në muajin shtator, ku shënohet dhe rënia e temperaturave dhe konsiderohet si koha e përhapjes së gripit të zakonshëm. Ministria e Shëndetësisë po përpiqet të marrë masa për parandalimin e përhapjes së virusit në vendin tone. Vendi ynë është i rrezikuar nga përhapja e virusit, pasi vendet fqinje janë të prekura nga ky virus. Për më tepër që lëvizjet sezonale të turistëve mund të bëhen shkak për një përhapje të mundshme të virusit, i cili mund të importohet nga vendet e tjera. Ministria e Shëndetësisë po forcon marrjen e masave në vendet kufitare, ku ka fluks të shtetasve që kthehen në vend për pushimet verore. Përgjegjësi për “mbrojtjen kufitare” nga virusi, kanë DSHP-të e rretheve, ku specialistët tashmë janë përqendruar në kufi. Pak ditë më parë, OBSH-ja rekomandoi përdorimin e antiviralëve dhe Tamiflusë për shkak të përshkallëzimit të gripit të derrit në të gjithë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë u qëndron rekomandimeve të saj për antiviralët që përdoren kundër virusit të gripit të derrave duke theksuar se rasti i parë i rezistencës ndaj Tamiflusë ishte “i izoluar”. Sipas OBSH-së, rasti i rezistencës ndaj Tamiflusë i vërejtur në Danimarkë ishte një rast i izoluar që nuk ndikonte në shëndetin e popullsisë.

6 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›