Përplaset autobusi i shkollës me fuoristradën, plagosen 6 nxënës
FIER - Një autobus që transportonte nxënës shkolle është bërë objekt aksidenti mëngjesin e së martës. Burimet zyrtare të Policisë së Fierit bëjnë të ditur se rreth orës 07:15 minuta, autobusi i markës “Fiat” me targa të Fierit ka qenë duke udhëtuar nga qyteti i Patosit për në drejtim të Fierit. Në brendësi të tij gjendeshin më shumë se 45 fëmijë, të cilët ndjekin një nga shkollat jopublike të Fierit. Në afërsi të vendit të quajtur Kthesa e Portëzës, përgjatë rrugës kombëtare Fier-Ballsh, në kilometrin e pestë nga qendra e Fierit, autobusi është përplasur me një autoveturë të markës "Nissan" me targa TR 3510 M.
Si shkak i përplasjes të dyja mjetet kanë pësuar dëmtime të mëdha, ndërkohë që janë plagosur si personat që gjendeshin në fuoristradë, edhe disa nga nxënësit. Mësohet nga burimet e vendit të ngjarjes se 6 nxënës, kryesisht të klasave të sistemit 9-vjeçar, kanë marrë plagë të lehta, dhe një prej tyre ka pësuar dëmtime në kokë. Ndërkohë që të gjithë nxënësit e autobusit kanë pësuar traumë psikologjike, pasi përplasja ka qenë e fuqishme. Edhe tre persona, një 30-vjeçar si dhe prindërit e tij, që udhëtonin nga Tirana për në drejtim të Gjirokastrës, janë plagosur. Të lënduarit kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
7 Janar 2009