E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi me letra me vlerë, kompanitë dhe aksionet që do të shiten në 2009-n



Ervin Koçi

Shteti shqiptar ka vendosur që të “humbasë” gjatë këtij viti pronësinë e tij nga çdo pronë apo sektor ku ai është pronar i pjesshëm në aksione. Sipas kryeministrit Berisha, viti 2009 do të shënojë edhe një rekord në sektorin e privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore, në të cilin do të aktivizohen edhe letrat me vlerë. Vendimi i Këshillit të Ministrave për nxjerrjen në shitje të të gjitha aksioneve, ku pronar është shteti, ka bërë që vlera e bonove të privatizimit në tregun e lirë të valutës të rritet. Mundësia për përdorimin e tyre mbetet në aksionet e disa ndërmarrjeve, që janë ende të pronësi të shtetit. Sipas ligjit, përdorimi i letrave me vlerë në privatizimin e ndërmarrjeve dhe të shoqërive të sektorëve me rëndësi të veçantë përcaktohen në formulën e privatizimit, por ajo nuk do të jetë më e lartë se 20 për qind e kapitalit të kontabilizuar. Por shitja e të gjitha aksioneve shtetërore në kompanitë dhe sektorët strategjikë, e për më tepër në prag të zgjedhjeve elektorale, konsiderohet si një veprim i gabuar nga ekspertët e ekonomisë. Plani i qeverisë për t‘i shitur asetet e saj në kompani të ndryshme nuk përputhet me një periudhë të përshtatshme, që lidhet me disa shkaqe. Deklarata e kryeministrit se "brenda një periudhe 1-vjeçare do të hiqet dorë plotësisht nga zotërimi i aksioneve në kompani dhe ndërmarrje të ndryshme" shikohet me dyshim nga ekspertë të fushës. Sipas tyre, “procesi i privatizimit për të gjitha kompanitë është i vonuar dhe se efektet në buxhet do të jenë tepër të vogla, kjo për faktin se interesi i investitorëve të huaj ka rënë për shkak të krizës globale”.

Ku mund të përdoren

Pavarësisht vlerës që morën në treg gjatë dy muajve të fundit të vitit 2008 letrat me vlerë, përdorimi real i tyre në privatizimin e pronës publike mbeti i kufizuar, ose nuk u aplikua fare. Kjo për shkak se ende përdorimi i letrave me vlerë nuk ka marrë formë të qartë. Qeveria premtoi në fund të vitit 2005 se do të hartonte një platformë të posaçme për mënyrën e përdorimit të bonove të privatizimit, të sanksionuar me ligj të veçantë. Përfshirja e publikut në privatizime do të varet krejtësisht nga gjendja e ndërmarrjeve dhe hidrocentraleve që do të përfshihen në këtë proces. Në rast se, ndërmarrja që do privatizohet ka një gjendje të rënduar ekonomike dhe kërkon shumë financime, futja në punë e bonove të privatizimit do të jetë e pamundur, shpjegojnë ekspertë në Ministrinë e Ekonomisë.

Afati i përdorimit

Bonot e privatizimit mund të përdoren për qëllimin me të cilin janë emetuar deri më 31 dhjetor të vitit 2010. Në vitin 2005 Parlamenti shtyu afatin e përdorimit të tyre. Mirëpo që nga koha kur u shty afati i përdorimit të tyre, ende nuk ka aktivizim real të bonove në privatizimin e pronës publike. Megjithatë, aktivizimi i bonove në procesin e privatizimeve nuk është aq i thjeshtë, pasi kërkon gjithashtu edhe licencimin e fondeve të investimeve nga Komisioni i Letrave me Vlerë. Deri tani nuk ka asnjë fond të tillë të licencuar për të investuar letrat me vlerë. Fondi i vetëm, "Anglo-Adriatika", në këtë fushë, humbi të drejtën për t'u aktivizuar në privatizime nëpërmjet bonove për shkak se leja e aktivitetit skadoi në vitin 2000, ndërkohë që qeveritë e mëparshme nuk i dhanë të drejtë blerjeve të pronës publike me bono.

Shitja e aksioneve

Privatizimi i aksioneve të mbetura të ARMO-s, AMC-së, Albtelekomit, OSSH-së etj., është një proces i mbetur nga privatizimet e mëparshme, ku aksionet e shtetit aty janë të pjesshme ose aksione në minorancë. Qeveria në dy muajt e fundit të vitit 2008 nisi me shpejtësi procesin e privatizimit të OSSH-së, INSIG-ut, si dhe të Shërbimit të Kolaudimit të Automjeteve që janë në fazën e parë të procesit, si dhe mbylli përfundimisht privatizimin e ARMO-s (85 për qind), blerësit e të cilës u shpallën disa investitorë strategjikë. Sipas kreut të qeverisë, brenda vitit 2009 do të privatizohen aksionet shtetërore të AMC-së, të Albtelekomit dhe të ARMO-s. Sipas tij, “qeveria nuk dëshiron të jetë aksionere. Ajo ka mision e detyra të tjera”.

7 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›