Dosja “Matrix” shkon në gjykatë, të pandehurit dyshohet se klononin kartat e kreditit
TIRANË - Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë është regjistruar për shqyrtim çështja penale në ngarkim të 16 personave, të cilët akuzohen për vjedhjen e disa llogarive bankare përmes klonimit të kartave të kreditit, pohuan të martën burime nga kjo gjykatë. Të pandehurit e kësaj çështjeje, shumë prej tyre me moshë të re (20-30 vjeç), akuzohen se kanë vjedhur shuma të konsiderueshme lekësh nga llogari të ndryshme bankare, duke klonuar kartat e kreditit VISA dhe MASTERCARD me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Sipas Prokurorisë së Tiranës, e cila realizoi hetimet për çështjen, numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë, etj., ku janë vjedhur llogari bankare, kryesisht të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore. Prokuroria pretendon se ka siguruar prova të shumta për dokumentimin ligjor të këtij aktiviteti të paligjshëm, si pamje filmike nga bankomatet e bankave, por dhe dëshmi të disa nga të pandehurit që kanë pranuar krimin. Të akuzuarit si autorë të kësaj vjedhjeje janë arrestuar në korrik të vitit të kaluar në operacionin policor të koduar “Matrix”. Ata janë hetuar për muaj me radhë nga njësia “Task Force”, e ngritur në Prokurorinë e Tiranës për luftën kundër krimit ekonomiko- financiar. Sot hidhet shorti dhe së shpejti në Gjykatë pritet të nisë procesi gjyqësor ndaj të pandehurve të operacionit “Matrix”.
Nga inati theu xhamat e makinës së një shtetasi, procedohet penalisht 36-vjeçari
TIRANË - Thyen xhamat e një makine, por pas veprimit vihet nën hetim 36-vjeçari nga Hasi. Policia e Tiranës bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se specialistët e seksionit kundër vjedhjeve me dhunë armë dhe të shkatërrimit të Pronës kanë konstatuar në rrugën “Naim Frashëri” në Tiranë, thyerjen e xhamave të një automjetit tip “Benz”, në pronësi të një qytetari.
Menjëherë nga këto struktura kryen veprimet hetimore dhe procedurale, nga ku dyshohet se autor është Shefqet Geca, 36 vjeç, lindur në Has dhe banues në Tiranë. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “shkatërrimit të pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal.
7 Janar 2009