ISKSH, mjekët, jo më shumë se dy paga shtesë shpërblim në një vit
Emanuela Sako
ISKSH-ja ka vendosur kufirin e shpërblimit të mjekëve në bazë të punës së kryer, e cila do të jetë jo më shumë se dy paga mujore shtesë. ISKSH-ja, në mbledhjen e djeshme, vendosi që shpërndarja e të ardhurave dytësore do të menaxhohet në masën 100 për qind nga drejtoritë e spitaleve. Në bazë të këtij vendimi, 30 për qind e të ardhurave dytësore do të shkojnë për shtesën mbi pagë të mjekëve, e cilësuar si shpërblim për punën e kryer. Sipas vendimit të fundit të ISKSH-së, përdorimi për shpërblim synon rritjen e interesit, veçanërisht të punonjësve që realizojnë këto të ardhura dhe me qëllim shmangien e abuzimeve dhe administrimin sa më të mirë të tyre. Në këtë pikë udhëzimi vendos kufizimin për dhënien e jo më shumë se dy paga mujore shpërblim me qëllim që nga këto të ardhura të përfitojnë sipas kontributit të gjithë punonjësit e spitalit.
Përdorimi
Këshilli Administrativ i ISKSH-së vendosi që të ardhurat dytësore nuk do të menaxhohet nga autoritetet shëndetësore përkatëse, por nga vetë spitalet. Në këtë udhëzim është përcaktuar përdorimi i të ardhurave nga aktiviteti i spitalit. Në të ardhurat e spitalit përfshihen tarifat që paguajnë personat e pasiguruar. Po kështu, nëpërmjet udhëzimit sqarohet se të ardhurat nga kryerja e analizave të ndryshme, dhënia e vërtetimeve, kryerja e ekzaminimeve terciare dhe të ardhura nga aktiviteti ekonomik dytësor, do të përdoren të gjitha në mënyrë të detajuar nga drejtoritë. Përdorimi i këtyre të ardhurave parashikohet të jetë në masën 40% për mallra e shërbime, 30% për investime dhe 30% për shpërblime për personelin e spitalit. Ky përcaktim në përqindje është bërë në bazë të nevojave që u dalin spitaleve dhe të ardhurat dytësore do të mbulojnë të gjitha mangësitë.
Të ardhurat dytësore
ISKSH-ja ka përcaktuar elementet që do të merren si të ardhura dytësore. Të ardhura dytësore konsiderohen të ardhurat nga tarifat e shërbimeve që u kryhen pacientëve, të cilët nuk kanë rekomandimin e mjekut të përgjithshëm e të familjes. Në këto raste bëjnë pjesë të ardhurat nga vizitat, analizat dhe ekzaminimet e ndryshme, si dhe lëshimi i vërtetimeve për efekt dokumentacioni. Pjesë e të ardhurave dytësore janë paratë e mbledhura nga veprimtaria ekonomike, si të ardhurat nga qiratë, parkingu i automjeteve në territoret e spitaleve, shumat e paguara nga ISKSH-ja për shërbimet ekzaminuese unikale terciare të ofruara nga spitalet, në marrëveshje me ISKSH-në. Këto janë të përcaktuara sipas listës së shërbimeve dhe tarifave përkatëse të parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në të ardhurat e realizuara nga spitalet, përshihen:
Të ardhurat nga tarifat e shërbimeve që u kryhen pacientëve, të cilët nuk kanë rekomandimin e mjekut të përgjithshëm e të familjes. Në këto raste bëjnë pjesë të ardhurat nga vizitat, analizat dhe ekzaminimet e ndryshme, si dhe lëshimi i vërtetimeve për efekt dokumentacioni. Të ardhurat nga veprimtaria ekonomike, si të ardhurat nga qiratë, parkingu i automjeteve në territoret e spitaleve, shumat e paguara nga ISKSH-ja për shërbimet ekzaminuese unikale terciare të ofruara nga spitalet, në marrëveshje me ISKSH-në. Këto janë të përcaktuara sipas listës së shërbimeve dhe tarifave përkatëse të parashikuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
30 Mars 2009