E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontratat e reja rrisin kompetencat e drejtorëve të spitaleve



Kontratat e reja rrisin kompetencat e drejtorëve të spitaleve, që janë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore. Drejtorët do të jenë përgjegjësit kryesorë për mbarëvajtjen dhe kontrollin e punës së kryer nga mjekët. Ata do të mbajnë përgjegjësi për situatën financiare, furnizimin me medikamente, pajisjet mjekësore në spitale etj. Përveç fondeve të akorduara ato do të blihen edhe nga të ardhurat dytësore, të cilat do të menaxhohen në masën 100 për qind nga këto drejtori. Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja kanë vendosur rregulla të tjera ku drejtorët do të marrin masa penalizuese për mjekët, t’i kontrollojnë ata nëpërmjet një formulari, ku do të jetë dita e punës për çdo mjek. Me fondet që u janë akorduar, drejtoritë përkatëse do të bëjnë vetëmenaxhimin dhe blerjen e medikamenteve, duke zbatuar rregullat e autonomisë së tyre. Ndërsa ISKSH-ja do të ketë rolin e kontrollorit në të gjithë aktivitetin e ushtruar prej tyre në mënyrë që të shmangen abuzimet. Reforma e zbatuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja synon autonominë e spitaleve dhe plotësimin e nevojave për pacientët. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor bën të ditur se autonomia e spitaleve është një domosdoshmëri për efikasitetin e skemës së sigurimeve shëndetësore, e cila pritet të përfshijë 42 spitale në vend. Tashmë drejtoritë e spitaleve kanë të drejtë t’i shpërndajnë vetë të ardhurat dytësore, sipas problematikës që hasin. Kështu, një pjesë e problemeve do të mbulohen nga fondet e përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa disa të tjera do të zgjidhen nëpërmjet të ardhurave dytësore. Specialistët u shprehën se spitalet kanë një kontratë 1-vjeçare me këtë institucion dhe kontrata ripërsëritet në varësi të punës së kryer në spital dhe arritjes së reformave të vendosura. Spitali përfaqësohet nga drejtori, i cili kontrakton me çdo pjesëtar të stafit të institucionit. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor do të kërkohet disiplinë administrative, financiare dhe profesionale, për të siguruar eficiencën e shërbimeve shëndetësore.

Kontrata me spitalet

Rritje e shkallës së autonomisë, ku spitalet do të planifikojnë, përcaktojnë dhe blejnë vetë për të gjitha nevojat që kanë për mallra e shërbime.
Spitalet bëjnë detajimin e buxhetit sipas nevojave të tyre.
Implementimin e matjes së cilësisë dhe performancës së spitaleve, përdorimit të protokolleve të përdorimit.
Përfshirja në kontratë e një neni në lidhje me pagesat informale dhe ndëshkimin për përfitime të paligjshme nga pacientët.

.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›