ISKSH në gatishmëri për banorët e prekur nga përmbytjet
Drejtori i Drejtorisë së Mjekut në ISKSH, Gazmend Koduzi deklaroi për mediat se në këto komuna është vendosur shërbim i pandërprerë sipas një grafiku të përcaktuar nga ISKSH në bashkëpunim me Qendrat Shëndetësore të fshatrave të tyre. Sipas Koduzit, për të mbuluar shërbimin 24 orë, janë caktuar edhe mjekë të zonave përreth që të jenë të pranishëm në këto qendra shëndetësore në rast nevoje të banorëve të tyre, të cilat janë pajisur me të gjitha medikamentet e emergjencës, të nevojshëm në këto raste. Gatishmëria e mjekëve është maksimale edhe për pacientët e sëmurë kronikë për të cilët nuk është ndërprerë në asnjë moment mjekimi i përditshëm, garantoi ISKSH. Në fshatin Obot të Komunës Anë e Malit në Shkodër, mjeku Ilir Lacej ka shpërndarë vetë ilaçet me rimbursim tek banorët e përmbytur, duke i arritur në shtëpitë e tyre me varkë. Edhe spitalet janë në gadishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë në zonat e përmbytura ditët e fundit. ISKSH do të vijojë gadishmërinë maksimale dhe shërbim të pandërprerë për banorët e këtyre zonave, bënë të ditur burimet zyrtare të saj.