E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi: Për kartat e identitetit ka mungesë transparence

/>Reagon Ministria e Brendshme: Deklarata e PS, e papërgjegjshme
"Jemi të shqetësuar se përgatitjet e qeverisë për krijimin e regjistrit kombëtar të shtetasve dhe proçesi i paisjes së shqiptarëve me karta identiteti po zhvillohet në mungesë të plotë të transparencës"-deklaroi dej për selinë e PS-së. Blendi Klosi. Vendimi i datës 7 janar është ende nëpër tavolinat e zyrtarëve, por jo në dijeni të qytetarëve,-tha Klosi. "Sot kur ngelen vetëm dy ditë nga dita e fillimit të procesit, nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm, përfshi dhe qeveritarët konfuz, që të jenë të qartë ku do të aplikojnë,  sipas kujt kalendari duhet të aplikojnë dhe kur do të pajisen me letërnjoftimin"- ka ngritur pikëpyetjen Klosi.
Vetëm dy ditë nga fillimi i proçesit të aplikimit, zyrat e gjendjes civile në të gjithë vendin nuk zotërojnë një regjistër kombëtar unik të shtetasve, regjistri aktual është i mbushur me gabime dhe dublime të shtetasve në të. "Paafatësia qeveritare vonoi proçesin dhe ndaj aplikimi për kartë po fillon vetëm kur kanë mbetur më pak se 6 muaj nga data e zgjedhjeve, duke rritur shumë koston dhe amullinë e procesit"-deklaroi Klosi. Ai tha se veprimet e qeverisë janë nën presionin "për të mbajtur premtimin e saj dhe detyrimet ndaj partnerëve".
Duke folur për barrën që rëndon qytetarin në marrjen e kartës së identitetit, Klosi tha se "Dy familjarëve madhorë që marrin ndihmë ekonomike, do t´u duhet të paguajnë 80 % të këstit mujor për të marrë kartat e idenditetit. Dhe janë 90 mijë familje të tilla në Shqipëri". Ai vazhdoi me rastin e pensionistëve të fshatit, të cilët, sipas tij,  do t´u  duhet të paguajnë 1/5 e këstit mujor të pensionit për të marrë kartën e identitetit. Dhe janë 150 mijë pensionistë të tillë pleqërie në fshat". Të papunit, sipas llogaritjes së bërë, do t´i duhet të paguajë 1/5 e këstit mujor të përfitimit për të marrë kartën e identitetit. Dhe janë 10 mijë të papunë të tillë në Shqipëri. Ndërsa ish-minatorit do t´i duhet të paguajë 1/5 e këstit mujor të trajtimit. Janë 5 mijë ish minatorë të tillë në Shqipëri. "Ne i kërkojmë me forcë qeverisë, që të ulet të negociojë me kompaninë që po zbaton koncesionin, për të gjetur mundësitë dhe rrugët që për të gjithë personat e grupeve të mësipërme, kosto e pajisjes me kartë të përballohet nga shteti"- tha Klosi.

Ministria e Brendshme: Ne jemi transparent
Ministria e Brendshme reagoi të shtunën duke e konsideruar si të papërgjegjshme deklaratën e Partisë Socialiste lidhur me procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike. "I gjithë proçesi i përgatitjes së letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike ka qenë një nga proceset maksimalisht transparente duke arritur të kemi një letërnjoftim dhe pasaportë biometrike të standardeve nga më të lartat në Europë", thuhet në këtë njoftim.  Sipas tij, e papërgjegjshme cilësohet edhe deklarata e Partisë Socialiste në lidhje me Regjistrin Kombëtar të Shtetasve, "Sot për herë të parë në Shqipëri ka një regjistër unik dhe elektronik të shtetasve, me ndërfaqe on-line me procesin e prodhimit të letërnjoftimeve elektronike". Qeveria shqiptare mori të gjitha masat për të pasur një produkt me kosto të ulët, duke përjashtuar madje edhe nga TVSH-ja letërnjoftimin elektronik dhe duke ulur në këtë mënyrë, edhe me 35% koston e tij. Prej disa ditësh Ministria e Brendshme nëpërmjet medias ka qartësuar procesin e aplikimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike, proces i cili do të shoqërohet me një fushatë të fuqishme publicitare.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›