Vasili: “Zgjedhjet e parakohshme? Fantazi vetëm e Edi Ramës”
Lëvizja Socialiste për Integrim rrëzon çdo opsion që ka të bëjë me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, ka thënë se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është një opsion i pamundur, duke kundërshtuar në këtë mënyrë edhe objektivin kryesor që gjendet në rezolutën e miratuar nga Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste. Vasili deklaroi se zgjedhjet e parakohshme janë fantazi e kreut të PS-së, Edi Rama. Ai tha se qëllimi i marrëveshjes PD-LSI është pikërisht formimi i një qeverisje solide, që u shërben interesave madhore të vendit. “LSI-ja e ka shumë të qartë programin e saj elektoral. Ajo do të synojë që nëpërmjet përfshirjes së këtij programi në programin e qeverisë së re të mundësojë forcimin e dimensionit social të kësaj qeverisjeje. Gjithashtu është evidente që marrëveshja PD-LSI, që do të përvijohet në javët që vijojnë, do të garantojë një qeverisje solide, por dhe tërësisht të suksesshme, sepse ajo nuk është e ndërtuar në interesat e vogla të partive, por është e ndërtuar mbi interesat madhore të vendit që i impononin një zgjedhje të tillë politike. Ndaj, duke i mirëkuptuar gjithmonë fantazitë ekscentrike të zotit Rama dhe duke e konsideruar këtë dhe si një ëndërr, besoj se duhet të ëndërroj katër vjet të plota dhe më pas i duhet ta ripërsërisë këtë ëndërr dhe për 4-vjeçarin në vijim”, - u shpreh Vasili. Ai mohoi gjithashtu edhe zërat se kryetari i LSI-së, Ilir Meta, është takuar këto ditë me kryeministrin Sali Berisha. “Sigurisht që ne i kemi ndjekur dhe i kemi përcjellë fantazitë e disa mediave, që janë stabilizuar në standardin e tyre të mashtrimit sistematik mediatik. Është një e drejtë e tyre ta bëjnë këtë, sepse ne kemi dështuar në tentativën tonë për t’i sjellë në parametrat e standardeve të së vërtetës, kështu që le t’i lëmë të përkunden dhe ata në ëndrrat e tyre të mashtrimit veror, sepse Kushtetuta dhe rregullat e shteti shqiptar thonë qartë që ne do të kemi qeveri të re në fillim të shtatorit, dhe pikërisht në kohën dhe vendin e duhur do të jetë shumë transparente, ashtu sikurse i kemi ndërtuar marrëdhëniet me median, shumë larg transparencave asambleiste të PS-së, do të bëhet në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, do të realizojë atë maxhorancë solide të kërkuar nga prioritetet madhore që kërkon vendi”, - tha sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili.
5 Gusht 2009