Paratë që duhet t’i kthejnë KQZ-së partitë që dështuan të hyjnë në Kuvend
Shaban Sulçe
Si të mos mjaftonte dështimi në zgjedhjet e 2 qershorit, 5 prej partive që përfaqësoheshin në Kuvend në legjislaturën e shkuar, tashmë rezultojnë debitore pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Agrare, Partia Aleanca Demokratike dhe Partia Demokristiane kanë më pak se një muaj kohë për t’i kthyer mbrapsht KQZ-së paratë që përfituan nga buxheti i shtetit për fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, pasi nuk arritën të siguronin qoftë edhe një mandat të vetëm deputeti. Shuma totale që duhet t’i kthejnë KQZ-së këto pesë parti është 12.7 milionë lekë, para të cilat do t’u shpërndahen 6 partive (PD-së, PS-së, LSI-së, PR-së, PBDNJ-së, PDI-së), të cilat siguruan përfaqësimin në Kuvendin e ardhshëm. Sipas Kodit Zgjedhor, partitë në fjalë duhet të bëjnë depozitimin e shumave që kanë përfituar në llogarinë bankare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Afati i pagesës është 30 ditë pas shpalljes së rezultatit zyrtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Fondet
11 forca politike, pjesëmarrëse në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 2005-s, përfituan në total një fond prej 65 milionë lekësh, shumë kjo që u shpërnda sipas dy formulave të ndryshme, gjysma sipas mandateve me të cilat përfaqësoheshin në Kuvend dhe gjysma e dytë në bazë të votave të fituara në parlamentaret e shkuara. Por, pesë prej këtyre partive nuk arritën të ripërfaqësoheshin në Kuvendin e ri dhe tashmë kanë detyrimin për të kthyer fondet e përfituara. Kështu, Partia Social Demokrate duhet t’i rikthejë KQZ-së shumën prej 5 136 667 lekësh, Partia Agrare Ambientaliste 2 644 556 lekë, Partia Aleanca Demokratike 1 920 479 lekë, Partia Demokracia Sociale 1 711 151 lekë dhe Partia Demokristiane 1 315 153 lekë. Shuma totale që partitë do t’i rikthejnë KQZ-së arrin në 12 728 006 lekë dhe ajo do t’u shpërndahet gjashtë partive, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e ri: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim.
Partitë në borxhe
Në historikun e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri rezulton se më shumë se 20 parti janë në borxh financiar ndaj shtetit. Partitë politike që nuk kanë arritur pragun e 2.5 përqindëshit në tri raundet e zgjedhjeve të zhvilluara në vitet 2000, 2001 dhe 2003 i kanë shtetit shqiptar një borxh në shifrën rreth 31 milionë lekë. Shifra është shuma e detyrimeve të pashlyera nga tri procese zgjedhore; dy lokale dhe një për Kuvendin e Shqipërisë: Janë më shumë se 20 parti, nga të cilat shumica janë parti fantazmë, ndonjë tjetër nuk ekziston më, ndërsa, tek-tuk ka edhe parti që janë të përfaqësuara në Kuvendin aktual të Shqipërisë. Për t’i paraprirë fenomenit të moskthimit mbrapsht të parave, në Kodin e ri Zgjedhor janë bërë disa korrigjime. Kështu, sipas këtij kodi, në rast të mospërmbushjes së këtij detyrimi, KQZ-ja i kërkon Zyrës së Thesarit t'i mbajë nga fondet e tjera buxhetore që përfitojnë këto parti dhe t'i kalojë ato në buxhetin e KQZ-së.
Shumat që duhet të kthejnë partitë
Partia Social Demokrate 5 136 667 lekë
Partia Agrare Ambientaliste 2 644 556 lekë
Partia Aleanca Demokratike 1 920 479 lekë
Partia Demokracia Sociale 1 711 151 lekë
Partia Demokristiane 1 315 153 lekë
Totali: 12 728 006 lekë
PS: Kriza ekonomike do të thellohet në 6-mujorin e dytë të vitit
Partia Socialiste e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike që po kalon vendi. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, tha se të gjithë sektorët e ekonomisë po ndihen në vështirësi si rezultat i kësaj situate. Ai paralajmëroi thellim të krizës ekonomike në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Beqja akuzoi qeverinë si shkaktare të kësaj situate, ndërkohë që theksoi se Partia Socialiste do të angazhohet maksimalisht për shkurtimin e ditëve të qeverisë së Sali Berishës. “Të gjithë sektorët e ekonomisë në gjysmën e parë të vitit 2009 kanë punuar më pak se vitin e kaluar. Në sektorin e industrisë sipërmarrësit nuk po shfrytëzojnë gati 40% të kapaciteteve të tyre prodhuese. Edhe sektori i ndërtimit po punon nën stres sepse po shfrytëzon vetëm 63% te kapaciteteve. Bujqësia do të ulë me disa herë ritmin e rritjes gjatë këtij viti, ndërkohë që prodhimi agroindustrial ka rënë me 7 për qind. Situata pritet e zymtë edhe në 6 muajt e dytë të vitit. Sipërmarrësit deklarojnë se nuk kanë plane të investojnë apo të rrisin numrin e të punësuarve. Shqetësimin për situatën e vështirë ekonomike e kemi shprehur në mënyrë të përsëritur që në fillim të vitit. Është detyrë e Partisë Socialiste të vazhdojë të denoncojë shurdhërinë e Sali Berishës, të cilit shqiptarët nuk ia dhanë votat për të qeverisur. Bashkë me qytetarët e Shqipërisë ne do të punojmë çdo ditë duke përdorur çdo mjet demokratik për t’ia shkurtuar ditët pushtetit jolegjitim të Sali Berishës”, - tha Beqja.
5 Gusht 2009