E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transplantimi, të hënën pacientja lë spitalin



Nesër mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do të vendosin nëse vajza 20-vjeçare, e cila iu nënshtrua para pak ditësh transplantimit të parë të veshkës, do të lerë spitalin. Sipas bluzave të bardha që morën pjesë në operacion, gjendja shëndetësore e pacientes është e qëndrueshme. Një fakt i tillë konfirmohet edhe shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Nestor Thereska. “Gjendja e pacientes është e mirë, të gjithë parametrat mjekësore, duke përfshirë dhe diurezën, janë normalë”, - shprehet Thereska. Sipas tij, gjendja e pacientes 20-vjeçare vazhdon të ndiqet në vazhdimësi, ndërkohë që dhuruesi i veshkës, i ati i saj, është në gjendje mjaft të mirë shëndetësore. Ndërhyrja e parë kirurgjikale e transplantimit të veshkës u realizua në datën 26 mars nga mjekët e QSUT-së, të asistuar nga profesorët italianë të klinikës së Barit. Ky ishte transplantimi parë që kryhej në shërbimin shëndetësor publik, duke u konsideruar dhe si një kthesë e madhe në mjekësinë shqiptare. Transplantimi i veshkave, i cili, si çdo operacion tjetër, ofrohet falas për qytetarët shqiptarë, u realizua në kuadër të Programit INTERREG III, të financuar nga Komuniteti Europian.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›