ISSH: Ja formula që llogarit pensionin
Çfarë duhet të plotësojë një person për të marrë pensionin dhe mënyra e llogaritjes së tij në bazë të koeficienteve
TIRANË- Të gjithë personat që i janë afruar moshës së daljes në pension duhet të fillojnë procedurat e aplikimit për përfitimin e tij disa muaj përpara se ta arrijnë atë. Sipas ligjit për pensionet, që një individ të përfitojë pension pleqërie, si fillim duhet të arrijë moshën 63 vjeç e 6 muaj për burrat dhe 58 vjeç e 6 muaj për gratë. Bashkangjitur këtyre kushteve, pensioni qe do të përfitojë ky individ përllogaritet duke marrë parasysh edhe vitet e punës mbi bazën e të cilave janë derdhur edhe kontributet shoqërore. Për të përfituar pension të plotë vitet e punës duhet të jenë 35.
Dokumentet që duhen
Sipas specialistëve në Institutin e Sigurimeve Shoqërorë, krahas kushteve të mësipërme të cilat janë vendimtare për përfitimin e pensionit të pleqërisë, një individ si fillim duhet të bëjë kërkesë paraprake me shkrim pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Nga aty ai merr edhe formularin tip dhe listën e dokumenteve të nevojshëm qe duhet të dorëzojë për përfitimin e pensionit. Specialistët i sugjerojnë personave të cilët kanë punuar në një vend tjetër nga ai ku banojnë aktualisht që të paraqiten pranë zyrave të ALSSH-së për të filluar procedurat e aplikimit për pension, një vit para mbushjes së moshës. Sipas tyre, kjo procedurë këshillohet për të lehtësuar verifikimin e vërtetësisë së dokumenteve të dorëzuara nga personat qe do të dalin në pension në mënyrë qe të mos ketë vonesa në miratimin e tij. Për sa i përket individëve të cilët banojnë në të njëjtin vend ku kanë punuar, aplikimi për përfitim pensioni këshillohet të bëhet pesë muaj para mbushjes së moshës. Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake për pension janë: Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj, deklaratë personale për vitet e punës (bashkëlidhur formulari tip); certifikatë lindjeje me fotografi; certifikatë martese për aplikueset femra. Pas përmbushjes së detyrimeve të mësipërme nga personi i cili do të dalë në pension, i mbetet administratës së ISSH-së të llogarisë sasinë e pensionit qe do të përfitojë aplikanti.
Formula e llogaritjes
Në bazë të ligjit aktual të sigurimeve shoqërore, pensioni i plotë mujor i pleqërisë llogaritet duke mbledhur pensionin bazë që u jepet nga shteti të gjithë personave të siguruar me shtesën mbi pensionin bazë. Shuma e pensionit bazë të dhënë nga shteti është formuluar që të sigurojë një standard minimum jetese. Ky përbërës ndryshohet çdo vit në varësi të çmimeve të mallrave të shportës për pensionistët me të cilat merret si e mirëqenë se me konsumin e tyre një person i dalë në pension mund të bëjë një jetë normale. Kjo shumë përcaktohet çdo vit me vendim të këshilli të Ministrave. Aktualisht masa e tij është 9515 lekë në muaj. Ndërsa shtesa mbi pensionin bazë është individual dhe varet nga sasia dhe zgjatja e periudhës së kontributeve. Kjo shumë është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me “bazën mesatare të vlerësueshme” (pagën mbi të cilën janë paguar kontributet). Aktualisht “baza mesatare e vlerësueshme llogaritet si mesatare e pagave që ka marrë i punësuari gjatë viteve të punës mbi të cilën janë paguar kontributet. Specialistët e ISSH-së pohojnë se për arsye së nuk ka të dhëna për pagat individuale para vitit 1994, llogaritjet bëhen në bazë të pagave referuese të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, e cila përkon me llojin e punës apo të profesionit që personi ka bërë para këtij viti. Pensioni i pleqërisë përfshin atë minimal dhe maksimal. Pensioni minimal përcaktohet çdo vit nga Këshilli i Ministrave duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të mallrave të shportës për pensionistët. Sipas ligjit për pensionet, një pension pleqërie nuk mund të jetë më i lartë se 75 % e pagës mesatare neto të indeksuar të tre viteve rresht gjatë dhjetë viteve të fundit të punës.
Tre vitet e fundit të punës janë faktori më i rëndësishëm në llogaritjen e pensionit
Formula që ju jep pensionin e pleqërisë
Në qoftë se një person ka filluar punë në profesionin mësues në vitin 1973 dhe mbush 35 vjet punë në vitin 2009, deri në 1994 atij i bëhen 21 vite punë me një mesatare prej 4110 lekë në muaj. Për ta standardizuar me nivelet e sotshme të pagave, Këshilli i Ministrave ka vendosur një koeficient korrektimi i cili është 4.59. Kështu, paga mesatare që ai ka përfituar gjatë viteve 1973-1994 shumëzohet me koeficientin korrektues nga ku përfitohet përafërsisht rroga e tij e aktualizuar me pagat e sotshme. (4110 lekë x 4.59 = 18.864 lekë).
Nga viti 1994 deri në Qershor 2009, ai ka edhe 15 vite punë dhe e marrim si të mirëqenë se ka përfituar një pagë mesatare prej 20 mijë lekësh në muaj. Atëherë, 18.864 lekë x 21 vite punë + 20.000 lekë x 15 vite punë : 36 (totali i viteve të punës) = 19.338 lekë. Me qenë se pensioni i plotë i pleqërisë përbëhej nga pensioni bazë plus shtesat e kontributeve shoqërore të cilat ishin 1 për qind për çdo vit pune (Pensioni i plotë = 9115 lekë (pensioni bazë) + 19.338 lekë x 36 % (të kontributeve të sigurimeve shoqërore ) =16.477 lekë. Kjo është shuma që realisht duhet të përfitojë personi i cili ka 36 vite punë. Por duke iu referuar nenit 32 të ligjit për sigurimet shoqërorë ku thuhet se pensioni i një individi nuk mund të jetë më shumë se 75 % e pagës neto mesatare të tre vjetëve rresht të 10 vjetëve të fundit të punës të personit të siguruar, ai mund të përfitojë vetëm 75 % të pagës mesatare, të cilën ne e supozuam 20.000 lekë në muaj. Pensioni i tij do të jetë, (20.000 x 75%), pra 15.000 lekë.