ZMQ: Protestë kundër çmimit të karburanteve
TIRANË- Çmimet e larta të karburanteve janë bërë vërtet një kërcenim për ecurinë e ekonomisë vendase. Importuesit me shumicë vazhdojnë të bëjnë të paditurin, pavarësisht thirrjeve bërë nga shoqata të ndryshme apo nga foltorja e kuvendit në lidhje me uljen e çmimeve. Gjatë ditëve të fundit, bursat ndërkombëtare kanë pësuar luhatje të mëdha të çmimit të naftës ndërkohë që në tregun vendas ato vazhdojnë të reflektohen me “hapin e breshkës”. Para dy ditësh çmimi i një fuçie naftë zbriti në nivelin e 52 dollarëve dhe kjo në tregun vendas u reflektua me një ulje prej vetëm tre lekë. Sipas të dhënave, një litër benzinë javën e kaluar, ka dalë nga dogana me një çmim 84 lekë. Në të përfshihet çmimi i blerjes, kosto e transportit, tatimin mbi vlerën e shtuar, akciza, dhe taksa e karbonit. Pavarësisht kostos prej 85 lekësh, në tregun me pakicë ajo është tregtuar me 130 deri 135 lekë për litër.
Në një situatë ku çmimi i karburanteve në Shqipëri mbetet i pandryshuar megjithëse në bursat ndërkombëtare ka pësuar një ulje të konsiderueshme, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, i fton këta të fundit të protestojnë duke mos iu afruar për një ditë pikave të shitjes me pakicë. “ZMQ fton të gjithë drejtuesit e automjeteve të solidarizohen me këtë grevë kombëtare duke kërkuar që të hënën, datë 1 dhjetor, ata të qëndrojnë larg pikave të karburanteve për 24 orë, si mjeti i parë i protestës ndaj karteleve të fundit në Europë”, theksohet në njoftimin për shtyp të kësaj zyre. Nëpërmjet kësaj proteste synohet të shprehet pakënaqësia e konsumatorëve ndaj çmimeve të kripura të cilat vazhdojnë të rrisin gjithnjë e më shumë koston e jetesës. Nga një vëzhgim i iniciuar nga ankesat e vazhdueshme të konsumatorëve, ZMQ arriti në konkluzionin se situata e çmimeve të naftës dhe nënproduktet e saj është skandaloze dhe se kontrollohet tërësisht nga kartelet që sot operojnë në këtë treg. Nga vëzhgimi i kësaj zyre, është vënë re gjithashtu se kompanitë e naftës bien dakord midis tyre për mbajtjen e një niveli të njëjtë çmimesh. ”Çmimi ulet dhe ngrihet nga një dorë në të njëjtën orë në qindra pika karburanti në gjithë Shqipërinë”, citohet nga ZMQ-ja. Sipas saj, në tregun e karburanteve vihet re edhe mungesa e organeve shtetërore në përmbushjen e detyrave që u përkasin, siç është mbrojtja e interesave të qytetarëve.