E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veterinerët, infermierë e dentistë në zonat e largëta të Librazhdit e Gramshit

Elbasan- Edhe pse Universiteti i Elbasanit prej shumë vitesh nxjerr infermierë, ende në zona të thella në vend të tyre shërbejnë veterinerët, të cilët jo vetëm që i bëjnë injeksioneve njerëzve, por janë kthyer edhe në dentistë.

Nga një kontroll i zhvilluar nga Drejtoria Rajonale e Sigurimit të kujdesit shëndetësor të Elbasanit ka rezultuar se në disa qendra shëndetësore të fshatrave të Librazhdit, si Lunik, Orenjë, Polis i Vogël, por edhe në Gramsh, në fshatrat Kukër e Tunjë ‘infermierët’ e kishin një diplomë, por jo për t’i shërbyer njerëzve, por kafshëve.

Gjithashtu mësohet se në bazë të këtij kontrolli ka rezultuar se kishte edhe nga ata veterinerë që shërbenin edhe si dentistë. Menjëherë pas përfundimit të këtij kontrolli nga ISKSH është marrë masa e largimit të tyre nga puna dhe janë punësuar infermierë të diplomuar. Bashkë me pushimin nga puna, ndaj tyre janë vendosur edhe gjoba.

Po kështu janë verifikuar diploma e 26 farmacistëve, të cilët shisnin medikamentet për njerëzit, kur profesioni i tyre ishte veterinerë. Ndaj kësaj kategorie, që vepronin në kundërshtim me ligjin është marrë masa e heqjes së licencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›