E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama me veteranët: Bashkim, përtej dasive të së shkuarës

Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste ka thirrur në një takim të veçantë festiv veterane dhe veteranë nga e gjithë Shqipëria në kujtim dhe nderim të veprës së tyre. Një takim i cili u hap me Himnin e Flamurit dhe vazhdoi me “Për ty Atdhe” në një atmosferë miqësore, plot me kujtime nga lufta për çlirimin e Shqipërisë, por dhe me ide për të ardhmen.

Këtë takim e ka hapur kryesocialisti Rama i cili ndër të tjera vuri theksin tek një bashkim i të gjithë shqiptarëve përtej dasive të së shkuarës, në emër të së ardhmes së fëmijëve, pavarësisht nëse janë fëmijë socialistësh apo demokratësh. “Arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën, nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen”, -nënvizoi Rama në këtë takim.

Ai e ka nisur fjalën e tij me veteranët me urimin nga Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike, ku ishte në 28 Nëntorin e parë që gdhiu në Kosovën e lirë.

Rama ka vlerësuar idealizimin e këtyre njerëzve, që sot është më i domosodoshëm se asnjëherë tjetër për Shqipërinë. “E ndërkohë, është pikërisht kjo dritë që i mungon jo rrallë, dhe që në më të shumtën e herës, duke munguar krijon probleme të cilat nuk mund të zgjidhen dot pa atë frymë dhe pa atë mësim që vjen sot përmes jush, por që ka në burimin e vet sakrificën tuaj e mbi të gjitha vetëflijimin e atyre që nuk e arritën dot këtë ditë dhe që prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, apo në kujtimet tuaja dhe në kujtimet e kësaj shoqërie”- iu drejtua ai veteranëve.

Sipas Ramës, në këtë periudhë kur vendi ynë vazhdon të gjendet në udhëkryqin e problemeve të vjetra dhe ndërkohë kërkon zgjidhje të reja, është koha që të gjithë së bashku t’i japim jetë dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur për një bashkim të ri, i cili duhet të ketë në themelet e veta këtë idealizëm dhe këtë patriotizëm.

Këtë ai nuk e ka cilësuar as slogan, e as kapardisje e aq më pak, nuk është një arsye për kacafytje mes shqiptarësh e shqiptaresh, pavarësisht bindjeve, ideve dhe qëndrimeve të ndryshme, por që është arsyeja më madhore pse ne duhet të shohim te njëri-tjetri energji dhe fuqi të domosdoshme për ta pasuruar më shumë jetën tonë pluraliste.

Kjo gjë sipas tij do ta bëjë mjedisin ku jetojmë, mjedisin ku ballafaqohemi me idetë tona, me bindjet tona, me qëndrimet tona, një mjedis që krijon shpresë, një mjedis që hap perspektivë, një mjedis ku asnjëri nuk ndihet i tepërt dhe ku megjithëse askush nuk është i domosdoshëm, gjithkush është i nevojshëm.

Ai ka sjellë dy kujtime të familjes; njëri kujtimi i njërës nga gjyshet, djali i së cilës ishte vrarë në luftë dhe tjetri, kujtimi i hallës i tim eti, djali i së cilës ishte pushkatuar menjëherë pas lufte. Dy djem të rinj, të cilët historia e dhimbshme e popullit tonë i vuri në dy pozicione të ndryshme. U dha dy jetë dhe dy funde të ndryshme.

“Dy djem të rinj që kishin në ëndrrën e tyre, një Shqipëri më të mirë, një qytet më të mirë, një komunitet më të mirë, një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tyre. E pra, arsyet që i ndanë shqiptarët në të shkuarën, nuk janë arsye për të ndarë fëmijët tanë në të ardhmen. Në emër të së ardhmes, ne duhet t’i bashkojmë të gjitha energjitë tona, duke parë tek njëri-tjetri një arsye për të shpresuar, dhe jo një arsye për t’u dëshpëruar”- tha ai.

E në rast politika ka lindur që njerëzit së bashku të bëjnë atë që nuk e bëjnë dot vetëm, të zgjidhin probleme që nuk i zgjidhin dot vetëm, ka vijuar më tej ai, ne duhet t’ia japim politikës shqiptare këtë përmasë.

“Kjo përmasë është e mundur, sepse asgjë nuk është e pamundur në rast se ne jemi bashkë. E ky bashkim duhet të shoh në vazhdimësi, aty ku buron idealizmi dhe patriotizmi, në një histori të largët, por edhe në një histori të gjatë, që është historia juaj”- tha më tej ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›