E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH: Nga rillogaritja që prej ‘94-ës, shumë pensione mbeten nën minimumin jetik

Në dy vitet e fundit, pensionet minimale në qytet kanë njohur një rritje prej gati 25 për qind, ndërsa pensionet në fshat rreth 50 për qind. Ky ka qenë bilanci i dhënë nga nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini, i cili ka saktësuar se, reformat e ndërmarra në këtë sistem në vitet e fundit kanë pasur synim ruajtjen e nivelit minimal të pensionit përballë inflacionit. "Kështu, nëse më 1 korrik 2005 të ardhurat nga një pension i plotë minimal në fshat ishin 3610 lekë, në 1 korrik 2007 të ardhurat nga ky pension arritën në 5410 lekë, pra 50% më shumë. Po kështu, edhe në qytet, nëse më 1 korrik 2005 të ardhurat nga pensioni i plotë minimal ishin 8350 lekë, më 1 korrik 2007 këto të ardhura arritën në 10410 lekë, pra rreth 25% më shumë se dy vjet më parë", shprehet Emini, duke përmendur këtu disa rritje që përfshinë vitin e shkuar. Sipas Eminit, reformat kanë pasur qëllim arritjen e një standardi, që pensioni të mos jetë më i ulët se minimumi i përcaktuar jetik. "Duhet të kemi parasysh se paga minimale për efekt kontributesh është 13 mijë e 140 lekë, ndërsa pensioni i plotë minimal është 10410 lekë. Pra, ky pension është 89.2% e pagës minimale, pasi kësaj të fundit u zbritet edhe 11.2% e pagesës së kontributeve për sigurimet shoqërore", shprehet nëndrejtori i ISSH-së. Ndërkaq, nëndrejtori
Emini ka shpjeguar se, gjatë dy viteve të fundit rritjet e pensioneve kanë qenë të balancuara, me qëllim shmangien e pabarazisë mes kontributit dhe përfitimit. "Në dy vitet e fundit qeveria ka shmangur rritjet e diferencuara mes pensionit minimal dhe atij maksimal, me qëllim ruajtjen e raporteve mes kontributeve dhe përfitimeve", tha Emini. Nga viti 1992 deri në vitin 2002, rritjet e pensioneve kanë qenë të indeksuara në mënyrë të pabarabartë, duke favorizuar pensionet e ulëta, me qëllim ruajtjen e këtyre shtresave përballë varfërisë. Por, në dy vitet e fundit ky proces u ndërpre, duke shmangur pabarazinë në rritje, për të ruajtur një ekuilibër mes kontributit dhe përfitimit. Sipas Eminit, në vitin 2006 pensionet u rritën në fshat 20 për qind, ndërsa në qytet me 5 për qind. Ndërsa në vitin 2007, në qytet u rritën sërish me 5 për qind, ndërsa në fshat me 10 për qind. Gjithashtu, për të shmangur pabarazitë që krijoheshin mes kontributit të derdhur dhe pensionit që përfitohej, si pasojë e rritjeve të diferencuara, qeveria ndërmori në 2006-ën procesin e rillogaritjes për pensionet e lidhura që nga 1 janari 1994. "Por, edhe pas procesit të rillogaritje, shumë pensione mbeten nën nivelin e minimumit jetik. Kjo bëri që qeveria të ndërhynte në kompensimin e të ardhurave minimale, duke bërë që pensioni i plotë minimal në qytet të shkonte në 10 mijë e 410 lekë, ndërsa në fshat në 5 mijë e 410 lekë", shpjegon Emini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›