Operohet në Itali, familja se përballon dot me ilaçe fazën pas ndërhyrjes
Anxhela Mersini, 13 vjeçe, prej lindjes vijon të mbartë sëmundjen e talasemisë. Prindërit e kanë vërejtur që vajza ishte talasemike vetëm nga fakti që ishte e pafuqishme dhe nuk ngrihej në këmbë. "E kam vizituar fillimisht te Neki Dredha dhe Fatmir Brahimi, pohon i ati i vajzës, Vladimiri. Ata më thanë se vajza ishte talasemike. Ndoshta ka shumë të tillë, por nuk është e lehtë të përballohen sëmundje të tilla kur nuk ka ndihmë edhe nga vetë organizma të tjerë. Të vetmet ndihma kanë qenë ato të ushtarëve të Guardia di Financës, ku një mjek prej tyre e mori për disa kohë në patronazh vajzën, deri në ndihmesën për operacionin, si dhe murgeshat italiane.
Prej vitit ‘96 vajza ka nisur të marrë rregullisht gjak. Mungesat këtu në Vlorë na detyruan ta çoja vajzën fillimisht në Tiranë dhe më pas në Lushnjë. Në Lushnjë shkonim fillimisht një herë në muaj dhe më pas një herë në 21 ditë. Kush të më ndihmonte dhe atëherë pasi kam qenë dobët nga ekonomia. Kjo vijonte rregullisht. Vajza merrte 450 ml gjak dhe e çonim më pas në shtëpi. Por gjendja e saj ishte e rëndë, rruazat i shkonin 1 milion e 200 mijë, si të krahasohej me një të vdekur. Edhe dy fëmijët e tjerë kanë pak probleme, por Anxhela na rrezikohej vërtetë. Pas ndihmës që i dhanë murgeshat, nëpërmjet një vizite në Itali në 1998-ën, vajzën sërish ma çojnë italianët në Itali, ku me ndihmën e një mjeku të Guardia di Financës, nga forcat që ishin këtu në Vlorë, vajza operohet një vit më parë në Itali. Atje i hoqën shpretkën, pasi ishte e zmadhuar në gjendjen më të keqe. Tani vajza ka nevojë për ilaçe që të mos marrë më gjak, pasi nuk ka si merr më gjak, nuk ka kush t‘ia filtrojë këtë. Ilaçi që merr fillimisht gjendej dhe paguhej po me ndihmën e ushtarëve të Guardia di Financës, por me ikjen e tyre në Sazan, 6 muaj më parë, është ndërprerë dhe furnizimi. Ilaçi është vështirë të gjendet dhe jo vetëm kaq, por më e vështirë është gjendja në të cilën ne ndodhemi. Nuk dimë si do vijohet më tej me vajzën tonë, pasi ne jemi vetëm me një rrogë dhe një pension invaliditeti të vajzës, prandaj kërkojmë ndihmën e shoqatave, ose institucioneve të tjera, për vijimin e kurimit të saj". Anxhela është në klasën e katërt, kur duhet të ishte në klasën e tetë, për shkak të ecurisë së sëmundjes së saj. Sipas mjekëve të spitalit të Vlorës, në rrethin e Vlorës janë 25 të sëmurë me sëmundjen e talasemisë, por gjak ka vetëm për 6 të sëmurë, të tjerët trajtohen me gjak në Lushnjë dhe në spitalin e Tiranës. Gjithashtu të shumtat e medikamenteve janë në spitalin e Vlorës, por medikamenti që përdor Anxhela nuk ekziston, gjendet vetëm në Itali dhe mund të porositet vetëm me anën e farmacistëve që shkojnë në Itali".