Rritje pagash 20% në shëndetësi
Në vitin 2008, sistemi shëndetësor do të marrë më shumë para. Rrogat e tyre do të rriten nga 20 deri në 25 për qind. Kjo, sipas parashikimit që i ka bërë dikasteri i shëndetësisë kategorive që do të preken nga rritja. "Dikur mjekët e aftë stimuloheshin moralisht, ndërsa sot, stimulimi po shoqërohet me reformimin e sistemit të pagesave. Në buxhetin e vitit të ardhshëm është llogaritur një buxhet suplementar prej 560 milionë lekësh për rritjen e pagave 20-25 për qind për personelin mjekësor", ka sqaruar ministri i Shëndetësisë në reagimin e tij lidhur me reformat që do të ndërmerren për evitimin e korrupsionit në shëndetësi. "Mjekët që kërkohen më shumë nga qytetarët, që kryejnë më shumë vizita dhe kanë më shumë sukses, duhet të jenë njëherësh edhe kategoria më e paguar në sistemin shëndetësor. Ndryshimi i kësaj gjendjeje është një nga prioritetet tona kryesore në fazën e tanishme", ka theksuar ministri. Ndërkohë që buxheti prej 560 milionë lekësh të reja tashmë është miratuar, mbetet vetëm që Këshilli i Ministrave të marrë vendimin se në cilin muaj do të nisin bluzat e bardha të tërheqin pagat e rritura. Sipas parashikimit, ky fond mund të përballojë rritjen e pagave të mjekëve për 6 muaj, ndërsa është përfolur muaji korrik si muaji që do të merret vendimi për rritjen e pagës. Megjithatë, duke parë këtu që do të ketë një mundësi tjetër rritjeje alternative, rritja mund të nisë edhe në muajt e parë të 2008-ës.
Rritjet alternative
Përveç kësaj rritjeje të pagës, një muaj më parë anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë propozuan për rritje të mëtejshme, të ashtuquajtura "alternative". Një prej opsioneve të mundshme ka qenë ajo e përdorimit të të ardhurave dytësore të spitaleve. Kështu, sipas një propozimi, mendohet që rreth 70 për qind e këtyre të ardhurave të shkojnë për pagat e mjekëve. Pjesa tjetër, prej 30 për qind, për blerjen e pajisjeve mjekësore të domosdoshme për kryerjen e shërbimeve. Sot, aktualisht të ardhurat dytësore në spitale numërohen rreth 46 milionë lekë. Por, anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë nuk kanë kërkuar vetëm rritjen e pagave të sistemit shëndetësor, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. "Rritja e pagave duhet të shkojë paralelisht me rritjen e shërbimit në spitale. Pasi dihet që ky shërbim te ne është në nivele shumë të ulëta", janë shprehur deputetët e këtij komisioni. Ndërkohë që u theksua se në shërbimin shëndetësor mungon një politikë për rritjen e pagave dhe kjo e fundit bëhet vetëm me anë të vendimit të Këshillit të Ministrave, gjë që nuk mund të preket.
Shpërblimet e Vitit të Ri
Të gjithë do të jenë të barabartë. Për Vit të Ri nuk do të ketë diferencime mes punonjësve të shëndetësisë. Pas ndryshimit të ligjit nga qeveria, lidhur me shpërndarjen e të ardhurave dytësore, për 2007-ën të gjithë do të shpërblehen njësoj.
Shefa shërbimesh, mjekë, infermierë, laborantë, punonjës të shërbimit mbështetës, teknikë apo të gjithë ata që punojnë në spitalin "Nënë Tereza" do të marrin vetëm 10 mijë lekë të reja si shpërblim për punën e bërë gjatë 2007-ës. Sipas rregullit të përvitshëm, secili nga punonjësit e QSUT-së, në bazë të punës dhe vështirësisë, përfitonte më shumë para si shpërblim, por këto nga të ardhurat dytësore. Duke qenë se tashmë vendimi i Këshillit të Ministrave i ka transferuar këto para në buxhetin e shëndetësisë për vitin e ardhshëm, bluzat e bardha do të çojnë në shtëpi për të festuar Vitin e Ri vetëm 10 mijë lekë të reja.
Sa bëhen pagat me rritjen 20 për qind
Kategoria Sa janë Sa bëhen
Mjek në QSUT 40000 lekë 48000
Mjekë në
institucione të tjera 34500 lekë 41400
Infermier në QSUT 28000 lekë 33600
Infermier në
institucione të tjera 27500 lekë 33000