E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Duam hartën e vendburimeve per albpetrol

22/03/2012  Debati për privatizimin e Albpetrolit

Berisha: Luftën e brendshme mos e sillni në Kuvend

Amendamentet e sjella nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike në lidhje me privatizimin e kompanisë “Albpetrol” kanë shkaktuar debate mes mazhorancës dhe opozitës në seancën e djeshme plenare. Socialistët e kundërshtuan me forcë privatizimin e asaj që ata e quajtën të vetmen pasuri të mbetur të shqiptarëve. “Vendimi për privatizimin e kompanisë së naftës ‘Albpetrol’ i heq buxhetit të shtetit 50 milionë dollarë në vit, të domosdoshëm për buxhetin e shtetit”, - deklaroi nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erion Braçe. Ndërsa kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës të mos dalë kundër privatizimit të Albetrolit, në mënyrë që pasuritë e vendit të shndërrohen në vlera për shqiptarët. Socialistët, sipas tij, po sjellin në Kuvend luftën e brendshme.

I menjëhershëm ishte reagimi i kreut të grupit parlamentar të PS Gramoz Ruçi, i cili e nisi replikën me Berishën, por e përfundoi me kryeparlamentaren Topalli. “Beteja është midis jush. Për të njëjtin problem e merr fjalën ministri i Ekonomisë, pas tij ngrihet ministri i Financave, që i thotë: ‘Ik pirdhu ti, se nuk merr vesh! Unë e di, jam unë kompetent!’” – tha Ruçi. “O zoti Ruçi, kjo është jashtë çdo etike, shto moshën që ke, sot ke ba të fundit. S’ma merrte mendja kurrë”, – reagoi Topalli. Në çastin e fundit, teksa ishte miratuar në parim privatizimi i kompanisë “Albpetrol”, seanca plenare u shty për rreth 30 minuta me kërkesë të kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruçi. Ai kërkoi që lista me vendburimet e naftës në vend të dërgohet në Kuvend e plotë. “Në listë të përcaktohen qartë vendburimet dhe Komisioni i Ekonomisë të ketë shënuar në të vlerësimet përkatëse”, - tha Ruçi. Pas shqyrtimit në komision dhe me rinisjen e seancës me 71 vota pro dhe 49 vota kundër, e pas 7 orë debatesh Albpetroli mori dritën jeshile për procesin e privatizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›