E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISSH nxjerr rregullore të re për pensionet

Dokumentet për përfitimin e pensionit duhet të dorëzohen që një vit përpara. ISSH ka hartuar një rregullore të re, e cila parashikon zgjatjen nga 5 muaj në një vit të afatit të dorëzimit të dokumenteve për të përfituar pension. 

TIRANE- Për të përfituar pension që ditën e parë, qytetarët duhet t’i dorëzojnë dokumentet që një vit më përpara. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka hartuar një rregullore të re për përfitimin e pensionit, ku ndryshimi kryesor është zgjatja e afatit për dorëzimin dhe verifikimin e dokumenteve.
Në një intervistë për televizionin “News24” Agron Ahmetaj, drejtor i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH në lidhje me këtë rregullore të re u shpreh se “pika kryesore e kësaj rregulloreje është kalimi i kohës për kërkesë për pension nga 5 muaj dëri në një vit. Ky është avantazhi kryesor, i cili është hartuar mbi bazën e kërkesave të qytetarëve dhe mbi bazën e problemeve që na kanë dalë në punën e përditshme”.
Drejtuesit e Institutit të Sigurimeve Shoqërore shpjegojnë se një tjetër ndryshim është edhe ofrimi i asistencës teknike pranë zyrave të ISSH-së. kjo do të thotë se qytetarët duhet të drejtohen në agjencinë e zonës për të marrë përveç informacionit, edhe formularin me dokumentet që duhet të kenë për të përfituar pension.
“Krahas asistencës që do të japin punonjësit të Sigurimeve Shoqërore, kemi përgatitur edhe një dokumentacion bazë, i cili përmban se cilët janë dokumetat kryesorë që do të kërkohen për të dalë në pension” tha Ahmetaj.
Sipas drejtuesve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore ndryshimet në rregullore u bënë duke marrë parasysh kërkesat e qytetarëve, por edhe problematikën që ka hasur administrata në punën e përditshme.
(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›