E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e opozitës pretendonin se i merreshin kompetencat pushtetit vendor

Kushtetuesja rrëzon kërkesën për shfuqizimin e amendamenteve të “Ligjit të legalizimeve”

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje kërkesën një grupi deputetësh të opozitës, të cilët kërkonin shfuqizimin e disa amendamenteve për “Ligjin e legalizimeve”. Burime të kësaj gjykate, bënë ët ditur se, gjatë shqyrtimit të kërkesës gjetën mungesë të bazës ligjore në pretendimin e grupit të deputetëve socialistë. Përmes kërkesës së tyre në Gjykatën Kushtetuese, deputetët socialistët pretendonin shpalljen si të paligjshme të ndryshimeve që ju bënë “Ligjit të legalizimeve”, me arsyetimin se ai u jep më tepër kompetenca ALUIZN-it, ndërsa ka zvogëluar kompetencat e pushtetit vendor.
Në seancën gjyqësore, para Gjykatës Kushtetuese, subjektet e interesuara kundërshtuan grupin e deputetëve me pretendimin te nevoja e përshpejtimit dhe unifikimit të praktikave në të gjithë vendin në procesin e legalizimit.
Miratimi në kuvend i këtij ligji është shoqëruar me debate të shumta mes opozitës dhe mazhorancës. Ndryshimet në ligj u miratuan disa muaj më parë, vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita kishte kundërshtuar propozimet e qeverisë edhe gjatë debatit në komisionet parlamentare.
Ndryshimet më të fundit të ligjit për legalizimet, parashikojnë se, njësia e qeverisjes vendore do të ketë dy muaj kohë për të bërë kualifikimin e ndërtimeve informale. Në bashkëpunim me drejtorinë rajonale të ALUIZNI-t ajo përpunon të dhënat e ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital dhe sipas ndarjes kadastrale. Lidhur me afatet për realizimin e procesit të kompensimit të pronarëve dhe më pas legalizimin, ALUIZNI pasi verifikon nëse parcela ku është bërë ndërtimi informal, është e regjistruar në pronësi të të tretëve, i dërgon Qeverisë për vendimmarrjen listën për kompensimin e pronarëve të ligjshëm.
Pas kësaj ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit. Afati i parë për dërgimin e listës me të dhëna pronarët e ligjshëm është 1 gusht 2008. Procedura përsëritet çdo një muaj.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›