Oli Rehn: Viti 2009, do të jetë viti i Ballkanit për bllokun evropian
Kryekomisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oli Rehn, ka përsëritur se rruga për integrimin e plotë në BE për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, mbetet e hapur, pavarësisht mos miratimit të traktatit të Lisbonës. Sipas Rehn, Shqipëria ka shënuar progres të gjerë dhe vijimi me reformat do të përcaktojë të ardhmen evropiane, duke vlerësuar vitin 2009 si vitin e Ballkanit për bllokun evropian Brukseli e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor, si një proces të hapur, që do të rezultojë në bazë të ecurisë së reformave dhe progresit të gjerë në një fushash dhe treguesish qeverisës. Kryekomisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Oli Rehn, ka vlerësuar arritjet e rezultateve të mira dhe progresiste nga Shqipëria, por ka vënë theksin në kushtet e tjera që mbeten për t’u përmbushur, si kusht kryesor për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane. Nga ana tjetër, Kryekomisioneri për zgjerim në Bashkimin Evropian, Oli Rehn është shprehur optimist për rezultatet e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës në lidhje me përmbushjen e kritereve për anëtarësim nga ana e tyre. Sipas tij, Bashkimi Evropian pret rezultate të mira nga Shqipëria dhe vendet e tjera si Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina. Mes notave të tij optimiste dhe besimi Kryekomisioneri i zgjerimit në BE, Oli Rehn, ka shkuar edhe më tej, kur e ka quajtur vitin 2009 si vitin e Ballkanit për bllokun evropian. Oli Rehn me këtë rast thekson se mosmiratimi i traktatit të Lisbonës nuk do të bëhet pengesë për Brukselin që të pranojë shtete të tjera. Rehn ka përsëritur se Kroacia do t’i mbyllë negociatat në vitin 2009, duke shtuar se Kroacia do miratohet si anëtar pasi të përmbushë të gjitha kriteret. Dhe Zagrebi ka ende për të bërë në reformimin e sistemit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, Kroacia është e sigurt që do të jetë anëtari i 28 i BE-së në vitin 2010. Në lidhje me Serbinë, Oli Rehn tha se ky vend do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, në fund të vitit 2009. Por ai shtoi se do të pritet më parë edhe një vlerësim i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për bashkëpunimin me Beogradin në lidhje me dorëzimin e kriminelëve të luftës. Një ditë më parë Rehn tha se Maqedonia nuk është gati për të marrë statusin e kandidatit në BE këtë vit, për shkak se nuk ka plotësuar shumë nga kushtet e vendosura nga blloku prej 27 anëtarësh. ...