Tërhiqet KLD-ja, pranon procedimin disiplinor për gjyqtarët që liruan Delijorgjin
Gjykata e gjyqësorit paralajmëron fillimin e një fushate të tipit gjyqe popullore
Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD-ja) , ka paralajmëruar fillimin së shpejti të disa seancave të tipit të gjykimit popullor, ndaj 12 gjyqtarëve të disa gjykatave të vendit. Për këtë “risi”, mëoshet se anëtarët e KLD-së, do të zhvendosin mbledhjet e tyre të ardhshme në gjykata ku edhe do të procedohen gjyqtarët. Ndërsa burimet zyrtare të KLD-së, kanë paralajmëruar fillimin e fushatës së gjyqeve popullore, ndaj të paktën 12 gjyqtarëve, mëoshet se pjesë e procedimeve disiplinore do të jenë edhe tri gjyqtarët e Apelit Ushtarak, që kanë liruar pak vjet më parë nga burgu Mihal Delijorgjin. Procedimi ndaj tyre vjen pas kërkesave këmbëngulëse dhe të përsëritura të Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, ndërsa megjithëse nuk kanë munguar edhe kërkesat për procedimin e mundshëm të tri gjyqtarëve të gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit, ende emrat e tyre, nuk janë futur në listën e procedimeve të KLD-së.
KLD-ja
Procedimi I KLD-së, do të nisë në datën 24 tetor. E veçanta e kësaj mbledhje, ka të bëjë me transferimin e sallës së takimeve të tij, nga selia në Tiranë, në rrethin gjyqësor Dibër. Në këtë mbledhje procedimi disiplinor do të nisë me gjyqtarin e gjykatës së rrethit gjyqësor Mat, Murat Lleshi. Vazhdimi i procedimit disiplinor, në mbledhjen e datës 24 tetor të KLD-së, do të vazhdojë me shkarkimin e gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni.
Në vijim të shpjegimit zyrtar të KLD-së, mësohet se, “në raport të arsyeshëm me përgjegjësitë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka për shqyrtimin edhe të çështjeve të tjera lidhur me sistemin e drejtësisë, dhe që janë pjesë e vendimmarrjes së saj në mbledhjet plenare, ky Këshill shpreh angazhimin për shqyrtimin në vazhdimësi në çdo mbledhje të tij plenare, të të gjitha kërkesave për procedim disiplinor të ardhura për shqyrtim. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, garanton zhvillimin e proceseve të rregullta dhe transparente në procedimet në vazhdimësi, lidhur me 12 gjyqtarë konkretisht pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Mat, Sarandë, Tiranë, Elbasan si edhe të Gjykatave së Apelit, Tiranë, Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak, për të cilët, janë depozituar kërkesat për procedim pranë këtij Këshilli”.
Kërkesat për procedimin e gjyqtarëve janë bërë nga Ministria e Drejtësisë, mbi bazën e inspektimeve të kryera nga Inspektorati i kësaj Ministrie dhe Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Burime zyrtare nga KLD bënë të ditur, se procedim disiplinor është kërkuar edhe për gjyqtarët, Rasim Doda, Gjin Gjoni, Nevrije Halo, Enkelejda Kashuri, Taulant Tafa, Shaqir Gradica, Ylli Minka, Naum Pejo, Alaudin Malaj, Meme Rexho.
Ministria e Drejtësisë
Përballë “rezistencës” së shumicës së anëtarëve të KLD-së, Ministria e Drejtësisë, ia ka arritur që të bëjë pjesë të procedimeve penale, edhe shkarkimin e mundshëm të gjyqtarëve Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naum Pejo, të Apelit Ushtarak që liruan Mihal Delijorgjin.
Megjithëse nënkryetari i KLD-së, Kreshnik,Spahiu, disa herë kishte premtuar futjen në rendin e ditës të mbledhjeve të kaluara të KLD-së dhe ndëshkimin e këtyre gjyqtarëve, po aq herë, me pretekstin e mospasjes kohë, nuk ka pranuar shqyrtimin e kërkesës së përsëritur të ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj.
Sipas propozimit këmbëngulës të Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, mësohet se kërkesa e tij, lidhej me çështjen e tre anëtarëve të gjykatës së Apelit Ushtarak për të cilët është propozuar procedim disiplinor pasi mendohet se në shkelje të ligjit i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit.
Ndërkohë mësohet se një tjetër kërkesë e Ministrit Alibeaj, e cila ende nuk ka marrë përgjigje nga KLD-ja, lidhet edhe me verifikimin e vendimit të një treshe gjyqtarësh të gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit, e kryesuar nga ish-kryetari i Gjykatës, gjyqtari Bujar Musta, të cilët kanë dhënë një vendim gjyqësor duke shpallur të pafajshëm, autorin e një vepre penale të një vrasje me paramendim të ndodhur në këtë qytet.
Procedim disiplinor për gjyqtarët
Mirela Mishgjoni,
Murat Lleshi,
Rasim Doda,
Gjin Gjoni,
Nevrije Halo,
Enkelejda Kashuri,
Taulant Tafa,
Shaqir Gradica,
Ylli Minka,
Naum Pejo,
Alaudin Malaj,
Meme Rexho
...