E Diel, 1 Nëntor 2026

ITALI KROACI Tjetër provim i vështirë për axurrët

A e dini se?
Fjalia më interesante në konferencën për shtyp të trajnerit Sllaven Biliç ishte: Nuk besoj kaq shumë te tradita, por është e këndshme të dish se nuk kemi humbur asnjëherë ndaj Italisë.

Itali – Kroaci

Ora 18:00, Poznan

Formacionet e mundshme:

Italia: Bufon, Bonuçi, De Rosi, Kielini, Maxhio, T. Mota, Pirlo, Markizio, Xhakerini, Baloteli, Kasano.

Kroacia: Pletikoza, Srna, Çorluka, Shildenfeld, Striniç, Rakitiç, Vukojeviç, Modriç, Perisiç, Jelaviç, Mandzukiç.

Përgatiti: Ergi LUBANI

Italia nuk ka fituar asnjëherë ndaj Kroacisë. Prandeli ka të ngjarë të konfirmojë formacionin që barazoi me Spanjën, teksa kroatët kanë ekipin më shtatlartë në Euro 2012

Andrea Barzalji nuk do të riaftësohet në kohë për të luajtur në ndeshjen e sotme ndaj Kroacisë dhe kësisoj Italia ka të ngjarë të konfirmojë të njëjtin formacion me të cilin barazoi ndaj Spanjës, ku Daniele De Rosi do të përdoret si qendërmbrojtës.

Dilema e vetme është në sulm, por megjithatë Baloteli vazhdon të ketë avantazh ndaj Di Natale, autori i golit ndaj kampionëve të Europës.

Nga ana tjetër trajneri i kroatëve, Sllaven Biliç, mund të tregohet me konservativ në taktikën e tij, duke qenë se në ndeshjen e parë kundër Irlandës aktivizoi një formacion ultra ofensiv. Dario Srna mund të luaj si mesfushor i djathtë, rol që e ka mbuluar me sukses gjatë eliminatoreve.

Italia largoi një pjesë të dyshimeve për forcën e saj, duke barazuar ndaj Spanjës, por padyshim që Kroacia përbën një tjetër pengesë serioze për të besuarit e Çezare Prandelit. Axurrët nuk kanë fituar kurrë ndaj Kroacisë dhe mund të kenë një tjetër disavantazh, pasi kroatët janë ekipi me mesataren më të lartë për sa i përket shtatlartësisë, 186 cm.

Krejtësisht e kundërta mund të thuhet për Italinë, që ka ekipin e tretë më të shkurtër, pas Spanjës dhe Francës. Te Italia figuron edhe lojtari më i shkurtër i Sebastian Xhovinko. Mbrojtja me tre lojtarë e Italisë pati sukses ndaj Spanjës, por do të testohet edhe një herë me kroatët, për sa i përket lojës në ajër.

Sulmi kroat ka marrë zemër pasi të dy lojtarët në repartin e avancuar, Mandzukiç dhe Jelaviç shënuan ndaj Irlandës. 43% të golave në eliminatore, 9 nga 23, kroatët i kanë shënuar me kokë. Kjo është përqindja më e lartë nga të gjithë ekipet pjesëmarrëse në Europian.

Interesante do të jetë edhe përballja mes dy regjisorëve Luka Modriç dhe Andrea Pirlo. Modriç nuk shkëlqeu në sezonin e fundit me Totenhemin, por ndaj Irlandës tregoi se ishte në një formë të shkëlqyer. Pirlo, që ishte lider te Juventusi, krijoi golin e Italisë ndaj Spanjës me një pasim të mrekullueshëm për Di Natalen. Italia mund të krenohet me faktin që në harkun e 90 minutave nuk humbet ndaj Spanjës që nga viti 1920, por me fqinjët përtej detit Adriatik historia është ndryshe. Në pesë përballje Kroacia nuk ka humbur asnjëherë me Italinë.

Trajneri Biliç debutoi pikërisht me një fitore 2-0 ndaj axurrëve në vitin 2006. Për Italia starti i ngadaltë i veprimtarive të mëdha është një klishe historike, por këtë herë gjërat po kthehen në rrezik serioz.

Prej tetë ndeshjesh, në Europian e Botëror, Italia nuk fiton në harkun e 90 minutave. Nga ana tjetër, Kroacia e nis takimit me vetëdijen se fitorja do ta kualifikonte matematikisht për në çerekfinale.

Përballjet direkte:

- Që kur Kroacia ka fituar pavarësinë, pas shkëputjes nga Jugosllavia, nuk ka humbur asnjë ndeshje ndaj Italisë. Në pesë takime të zhvilluara gjithsej, kroatët kanë fituar tri herë përfshi edhe ndeshjen e vitit 2006 kur debutoi trajneri Sllaven Biliç. Ai takim u mbyll 2-0 me gola të shënuar nga Eduardo Da Silva dhe Modriç.

- Katër nga pesë ndeshjet e mëparshme mes Italisë dhe Kroacisë kanë qenë miqësore. E vetmja ndeshje zyrtare është luajtur në Kupën e Botës 2012. Kroacia fitoi 2-1, por ishte Italia ajo që u kualifikua, ndërsa kroatët u eliminuan që në fazën me grupe të veprimtarisë të zhvilluar në Japoni dhe Kore.

Italia

- Axurrët e detyruan Iker Kasiljasin të bënte pesë pritje në ndeshjen e parë të Europianit. Kasiljas kishte bërë pesë pritje në shtatë eliminatoret që kishte luajtur.

- Italia e qarkulloi topin 34% në ndeshjen e parë ndaj Spanjës, më pak se secili prej 16 ekipeve në ndeshjet e tyre të para në Euro 2012.

- Andrea Pirlo ka bërë 2778 pasime të sakta me Juventusin gjatë sezonin që sapo u mbyll. Askush nuk ma bërë më mirë në Serinë A, Premier Ligë, Primera Divizion, Bundesliga, apo Ligën i gjatë këtij sezoni.

- Italia ka fituar vetëm një nga nëntë ndeshjet e fundit në veprimtaritë e mëdha, (europian + botëror)

Kroacia

- Për herë të fundit, duke përjashtuar 11-metërshat, Kroacia ka provuar shijen e humbjes në Euro 2004! Që pas disfatës 4-2 ndaj Anglisë, ata nuk janë mposhtur asnjëherë në harkun e 90 minutave, në një ndeshje të vlefshme për fazën finale të kampionatit europian.

- Kroacia i fitoi të tri ndeshjet në fazën me grupe të Euro 2008 dhe e nisi Euro 2012 me fitoren 3-1 ndaj Irlandës, duke kompletuar pokerin e sukseseve.

- Që nga viti 2006 e deri më sot, Kroacia nuk e ka mbyllur asnjë vit kalendarik pa qenë ndërmjet dhjetë vendeve të para në renditjen e FIFA-s.

Sllaven Biliç thur lavde për Balotelin dhe Pirlon

Baloteli është një nga lojtarët më të mirë në botë, një talent i madh. Ndonjëherë është një gjeni në atë që bën, ndonjëherë nuk di të qëndrojë në rresht!

Le të themi se ai mund të jetë një nga talentet që mund të vendosë Europianin, – në këtë mënyrë, trajneri i Kroacisë, Sllaven Biliç, përshkruan numrin 9 të Italisë, por megjithatë i preferuari i tij te axurrët është dikush tjetër:

Pirlo për Italinë është si Modriç për ne, thjeshtë i pazëvendësueshëm. Nuk e di çfarë do të thotë fusha, por që tani do të firmosja për një barazim. Fakti që nuk kemi humbur asnjëherë ndaj Italisë nuk do të thotë asgjë. Eshtë diçka e bukur, por nuk vendos tradita. Unë besoj se kemi shanse të mëdha të shkojmë në çerekfinalet e Euro 2012.

Prandeli: Kam vetëm një dyshim për formacionin

Nuk dua ti jap avantazhe Kroacisë duke bërë të ditur formacionin, por ndoshta mund të ketë disa ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj Spanjës. Më saktësisht, kam vetëm një dyshim… – këto kanë qenë fjalët e trajnerit të Italisë, Çezare Prandeli, përpara ndeshjes ndaj Kroacisë.

I pyetur nëse dyshimi kishte të bënte me Balotelin, ai tha: Kalojmë te pyetja tjetër ju lutem! Në lidhje me deklaratat e Kasanos kundër lojtarëve homoseksualë, Prandeli shtoi:

Kur i dëgjova fjalët e tij, që kishin ardhur si përgjigje e faktit që disa nga lojtarët e mi mund të ishin homoseksualë menjëherë mendova si ka mundësi që po na ndodh gjithçka. Eshtë më mirë ta marrim me buzëqeshje dhe të mendojmë për futbollin e luajtur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›