IVANOVI, GRUEVSKI, VELJANOVSKI DHE PUSHTETI ABSOLUT
Nga Fadil LUSHI
Të nderuar lexonjës!
Që prej vaktit kur më erdhi ideja për ta shkruar shkrimin e radhës, thashë se do ta bëja me emocione dhe jo me arsye, sepse, si më duket, edhe mua si të tjerëve më është bërë mendja havale. Kohë më parë në Maqedoni mori fund maratona e zgjedhjeve provinciale dhe presidenciale. Ishte një maratonë që u karakterizua me një dhunë verbale, me rebelim të arrogancës, fjalës së ashpër dhe agresive, iluzionare, shpifarake, premtuese, denoncuese..., ishte një maratonë zgjedhore e vrerit, inatit e hasmërisë, një maratonë e shëmtuar politike ku u deformuan të gjitha parimet dhe vlerat morale, një maratonë ku mbijetoi vetëm “kodi i urrejtjes”. Kështu si kaloi kjo maratonë, të lë përshtypjen se i përngjante një lavamani të mbushur me enë të palara dhe një lavatriçeje ku gjithsecili që pretendon të marrë pushtetin provincial dhe atë qendror do të presë rend për t’i shpëlarë “rrobat e tij politike, korruptive dhe patriotike”!
Edhe kësaj here, vota e shqiptarëve dedikuar kandidatit për president shteti shkoi huq, për një kandidat, i cili gjatë gjithë fushatës së tij zgjedhore nuk tha asnjë të vetmin llaf për shqiptarët, pos që, kohë pas kohe, atyre u përcillte nga një buzëqeshje enigmatike. Dhe lëre që kjo votë pësoi goditjen dhe humbjen e betejës si mos më keq, por dhe u nëpërkëmb e u poshtërua skajshëm, deri në atë instancë sa edhe u interpretua gabimisht dhe njëherazi iu abuzua kuptimi i mesazhit të saj. Dhe ky ishte fundi i sovranitetit së votës në fjalë. Pala maqedonase që gjithmonë votën shqiptare e ka konceptuar si të pakultivuar dhe si një kopje të zbehtë të votës orientale (mos me thënë anadollake) edhe kësaj radhe bëri çmos për ta zaptuar dhe për ta bërë për vete me qëllim të arritjes së dyzetpërqindëshit të censusit. Politika zyrtare e Maqedonisë nuk e kishte vështirë ta bënte këtë, pasi që e shfrytëzoi “mirëbesimin dhe papjekurinë politike të shqiptarëve”! Tek e fundit, kësaj politike maqedonase, faktori shqiptar i duhet ideologjikisht i përçarë, i katandisur, i kapardisur dhe i kaparosur. Dhe askush nuk mund të më bindë se në ndërtimin e pushtetit absolut (i cili do të gëzohet vetëm nga maqedonasit) nuk ka hise edhe mungesa e filozofisë së politikëbërjes dhe analfabetizmit tonë politik dhe emotiv, nga njëra anë dhe “paaftësia jonë kronike” për t’i thënë kandidatit joshqipfolës se jo gjithnjë duhet t’i jepet vota, qoftë ajo votë fakultative, votë me shtrëngim, (jo)deliberative, zgjedhore, e kurdisur, e lirë ose e fshehtë…, nga ana tjetër! Dhe sot, pas asaj që ndodhi, partitë politike shqiptare nuk “kanë të drejtë” t’i bëjnë kushedi çfarë vërejtje serioze piramidës së ndërtuar (kushtetuese) shtetërore maqedonase, ku në atë trung piramide kurrën e kurrës nuk do të ketë vend për shqiptarët, pavarësisht ekzistencës së tarafllëqeve politike dhe botëkuptimit të tyre fetar. Kjo piramidë trekëndëshe (që është ndërtuar edhe me gurët e shqiptarëve) me gjithë gjymtimin kushtetues dhe renditjen hileqare që ka, pa asnjë dyshim do t’i vërë nën zotërimin dhe nën kontrollin e saj të gjitha institucionet e tjera kushtetuese, duke filluar nga prokurori i përgjithshëm, Avokati i Popullit, Gjyqi Kushtetues, për të përfunduar me institucione të tjera. Ky zotërim dhe ky kontroll do rihapë rrugët e rindërtimit të historisë së “demokracisë autokrate”, një demokraci që do të karakterizohet nga një politikë të njëtrajtshme, të bezdisshme dhe pa perspektivë, por që do të ushtrohet nga kryepari i shtetit, nga kryeministri dhe nga kryeparlamentari…, toptan nga njerëz që kanë një ngjyrë partiake.
Presidenti i Shtetit të Maqedonisë do të detyrohet ta zhveshë edhe zyrtarisht konfesionin e përkatësisë partiake, respektivisht ta pezullojë anëtarësinë duke ia dorëzuar kryeparit të tij politik librezën me të cilën edhe u kandidua për President shteti. Fjalimi i tij i parë nga kolltuku i Presidencës, me gjasë do të jetë kësisoj: “Do të punoj me të gjitha forcat për të qenë President i të gjithë bashkëqytetarëve, duke pasur si bazë ndershmërinë, vlerat qytetare dhe transparencën...” Nëse në këtë paragraf të fjalimit të tij solemn do të hetohet morali i politikës së institucionit që do të përfaqësohet nga z. Ivanov, atëherë dhashtë Zoti që në atë etikë të hetohet edhe elementi shqiptar, gjithsesi pa paragjykime! Ndryshe nuk bën dhe nëse bën, atëherë z. Ivanov nga shqiptarët do të emërtohet si qytetari Ivanov.
“Gojëkëqijtë politikë” sot e gjithë ditën do të thonë se institucioni i Presidencës si dhe Presidenti (ky i fundit do ta ketë vështirë t’i shpëtojë kthetrave të z. Nikollë) do të jenë nën hijen e qeverisë dhe Kryeministrit dhe se ky pushtet absolut ndoshta edhe do ta mbyllë kaptinën e konfliktit të interesit në relacion qeveri-President! Me një pushtet të këtillë absolut ballafaqohet edhe Republika e Turqisë dhe kohë më parë edhe ajo e Shqipërisë, që falë dufit politik të Presidentit Bamir Topi dhe prokurores së përgjithshme Ina Rama, disi demokracia shqiptare filloi të frymonte paksa më lirshëm.
Sikur Monteskje të ishte gjallë, këtë teori dhe praktikë të politikës së VMRO-DPMNE-së maqedonase, kryekëput do ta kontestonte dhe fund e krye do ta anashkalonte në favor të teorisë së tij ndaj “…ndarjes së domosdoshme të institucioneve kushtetuese” (një hise duhet t’i takojë pozitës dhe një e tillë opozitës..., qoftë ajo pozitë apo opozitë shqiptare..., që rrjedhimisht ka status denigrues). Nëse teoria e Monteskjesë do të interpretohet ndryshe, atëherë nuk mund të oksigjenizohet dhe emancipohet demokracia edhe ashtu e shtrembëruar dhe e brishtë maqedonase.
P. S.
Të nderuar lexonjës të paanshëm!
Në fund më duhet të parashtroj një pyetje retorike: A mundet Maqedonia të jetë e banueshme politikisht për shqiptarët, sidomos tani, kur pushteti absolut është në pronësinë e saj?